Finlanda është shpallur vendi më i lumtur në botë për herën e nëntë radhazi, sipas Raportit Botëror të Lumturisë 2026, i përgatitur nga Qendra e Kërkimeve mbi Mirëqenien në Universitetin e Oksfordit. Në podium janë gjithashtu Islanda në vendin e dytë dhe Danimarka në të tretin, duke bërë që vendet nordike të dominojnë listën e lumturisë globale.
Pas tyre renditet Kosta Rika, ndërsa Suedia dhe Norvegjia marrin vendet e 5-të dhe 6-të.

Në top 10 janë gjithashtu Holanda (7), Izraeli (8), Luksemburgu (9) dhe Zvicra (10).



Shtetet që flasin gjuhën angleze nuk arritën të hyjnë në top 10 këtë vit: SHBA renditet e 23-ta, Kanadaja e 25-ta dhe Mbretëria e Bashkuar e 29-ta.
Shqipëria renditet rreth vendit të 89-të në këtë sondazh, duke u pozicionuar në mes të vendeve europiane, por larg podiumit të lumturisë. Pjesëmarrësit vlerësojnë jetën me faktorë si të ardhurat, shëndetësia, mbështetja sociale, liria, bujaria dhe perceptimi i korrupsionit.
Raporti tregon një rënie të ndjeshme të lumturisë mes të rinjve nën 25 vjeç, veçanërisht në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandë të Re, ku vlerësimi mesatar i jetës ka rënë pothuaj një pikë në dekadën e fundit. John F. Helliwell, profesor emeritus i ekonomisë në Universitetin e British Columbia, identifikon përdorimin e mediave sociale si një faktor kryesor.
Megjithatë, raporti nënvizon se mënyra e përdorimit të internetit është po aq e rëndësishme: komunikimi me të dashurit dhe mësimi i aftësive të reja mund të ketë efekt pozitiv.
Në vendet më të lumtura, njerëzit raportojnë një ndjenjë të fortë bashkëpunimi dhe besimi, ndërsa sistemi i shëndetësisë dhe arsimit ofron siguri për jetën moderne. Në Finlandë, për shembull, qytetarët raportojnë një vlerësim mesatar të lumturisë prej 7.764, krahasuar me 6.816 në SHBA.
Në fund të listës, vendi më pak i lumtur mbetet Afganistani, i ndjekur nga Sierra Leone, Malawi, Zimbabwe dhe Botswana.


