Gjatë një operacioni të policisë britanike tre shqiptarë janë burgosur pas zbulimit të një prej fabrikave më të mëdha të kanabisit të gjetur ndonjëherë në Hampshire.
Oficerët po kryenin hetime në lidhje me një tjetër rast që i bëri ata të hynin në magazinë në Millbank Street, Southampton, të premten, 21 tetor rreth orës 11:45.
Brenda, ata zbuluan 2,012 bimë kanabisi në faza të ndryshme të pjekurisë dhe qindra vazo të tjera bosh, të cilat kishin mbajtur më herë bimët narkotike.
Sipas ekspertëve të drogës, fabrika mund të ketë një qarkullim vjetor deri në 1.6 milionë paundë.
Brenda magazinës ishte sajuar një ndërtesë dytësore, e cila kishte disa dhoma të mëdha prodhimi me vaditje, ventilatorë, llamba ajrimi dhe ngrohjeje, shkruajnë mediat britanike.
Po ashtu, aty kishte zyra të improvizuara dhe një sallë konferencash, një kuzhinë, krevate të mjaftueshme për të fjetur 12 persona dhe një banjo. Madje kishte edhe pajisje palestre.
Gjithashtu ishte vendosur një sistem kamerash sigurie për të monitoruar perimetrin e magazinës.
Furnizimi me energji elektrike ishte lidhur në mënyrë të paligjshme për të anashkaluar matësin, me tre kabllo të mëdhenj që kalonin nën tokë jashtë magazinës.
Në vendngjarje, efektivët arrestuan Rezart Selami, 29 vjeç, Alfred Mamoci, 36 vjeç dhe Selami Lugja, 31 vjeç, të gjithë pa adresë fikse. Fabrika u çmontua gjatë një dite dhe bimët u shkatërruan, së bashku me telefona celularë.
Selami, Mamoci dhe Lugja u deklaruan fajtorë për prodhimin e një droge të klasit B – kanabis dhe u paraqitën në Gjykatën e Kurorës së Southampton dje (21 dhjetor) për t’u dënuar. Ata u burgosën secili nga tre vjet . /abcnews.al