Zlatan Ibrahimovic është nga ata që di si ta tërheqë vëmendjen. Të gjithë u habitën një ditë më parë, kur ai postoi në llogarinë e tij një video ku shfaqej me fanellën e Hammarby. Ndodhi pikërisht pasi ishte folur për një rikthim tijin në Suedi, por sulmuesi e kishte mohuar.
Tashmë është zbuluar edhe pse Ibra e ka postuar atë video. Ai ka blerë 25% të aksioneve të klubit suedez dhe objektivi i tij është i qartë: “Do ta ndihmoj Hammarby të bëhet klubi më i mirë në Skandinavi.
Kisha rënë dakord me Hammarby dhe kompaninë AEG (zotëron LA Galaxy dhe tani ka 47% të aksioneve të klubit suedez) për ta bërë klubin sa më të njohur botërisht. Të gjithë duhet ta dinë kush është Hammarby, që në momentin që do të shohin logon. Ky ekip duhet parë në gjithë botën”.
https://www.instagram.com/p/B5UZ186HbST/?utm_source=ig_web_copy_link
Ibra është i bindur se klubi suedez mund të rritet shumë, ndërkohë që pranon edhe emocionet e kësaj zgjedhjeje që ka bërë. “Hammarby ka tifozë të mrekullueshëm dhe po rritet vazhdimisht. Ai e ka potencialin për t’u bërë më i madhi në Skandinavi.
Po bëjnë gjëra të mahnitshme tani. Ishin të pafat, pasi mund ta kishin fituar titullin kampion. E kam ndjekur ekipin gjatë kësaj periudhe, edhe pse e kam mbajtur sekret gjithçka. Më pëlqen shumë si luajnë, bënin lojën më të bukur”, shtoi sulmuesi.
Ibra është gati për etapën tjetër të jetës së tij, edhe pse kërkon të luajë të paktën edhe 18 muaj. “Do të jem më i përkushtuar në momentin që do ta mbyll me futbollin e luajtur. Ndihem në mënyrë fantastike, është emocionuese. Një projekt krejt ndryshe dhe jam shumë i motivuar. Mezi pres ta shoh futbollin nga një këndvështrim tjetër”, ka deklaruar sulmuesi për Sportbladet. /abcnews.al