Zbulohet “foleja” e tretë bosit mafioz Messina Denaro, gjenden dokumente me iniciale dhe numra

schedule08:26 - 20 Janar, 2023

schedule 08:26 - 20 Janar, 2023

Një ditë pas zbulimit të dhomës sekrete të fshehur pas një garderobe, në të njëjtin qytet është zbuluar vendstrehimi i tretë i bosit mafioz Matteo Messina Denaro, i cili u arrestua të hënën pas 30 vitesh në arrati.

Bëhet fjalë për një apartament në katin e parë të një pallati të verdhë në  Campobello di Mazara, një qytet i vogël në zonën e Trapanit, në të cilën u gjetën akronime dhe numra telefoni.

Streha është disa qindra metra nga shtëpia në vicolo San Vito e identifikuar pak orë pas arrestimit, në të cilën u gjetën dokumente me iniciale dhe jo shumë larg bunkerit të gjetur një ditë më parë nga Guardia di Finanza.

Shtëpia, të cilën bosi mafioz dyshohet se e kishte deri në qershorin e kaluar, ndodhet në via San Giovanni. Dhe për momentin është bosh dhe në shitje. Po vijojnë hetimet për të konstatuar nëse në banesë janë krijuar dhoma sekrete si ajo e zbuluar dje; një bunker i blinduar, i fshehur nga një gardërobë plot me rroba.

Zyra e Prokurorit Publik do të duhet të shqyrtojë të gjithë materialin e gjetur pas arrestimit si edhe ditarin që ishte në çantën e bosit të mafias në momentin e arrestimit, i cili përmbante reflektime dhe copa letrash. Dy telefonat celularë të Messina Denaro, postimet, shënimet dhe dokumentet me shkurtesa, numra telefoni, emra dhe shifra që sugjerojnë një lloj memo për investimet dhe shpenzimet e gjetura në apartamentin në vicolo San Vito dhe që tani po analizohen nga Ris.

Mes objekteve u gjet edhe një poster me fytyrën e “Kumbarit”, ai i luajtur në filmin me të njëjtin emër, ku personazhin e Don Vito Corleone e luan protagonisti Marlon Brando.

Po hetohet edhe mbi mundësinë që dikush mund të ketë hyrë në strehët e Messina Denaro për t’i “pastruar” menjëherë pas arrestimit të tij dhe para mbërritjes së hetuesve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!