Zbulohet fjalimi i Esat Pashës në Parlamentin Osman: Kryengritjet dhe ngjarja e pazakontë në Shkodër

schedule12:06 - 9 Tetor, 2020

schedule 12:06 - 9 Tetor, 2020

Esat Pasha është një ndër figurat më kontradiktore të historiografisë shqiptarë. Në lidhje me të ka raportime që shkojnë në kahe ekstreme, ku diku paraqitet si patriot e diku si tradhtar.

Ai është një ndër figurat që ka ndikuar më së shumti në politikën shqiptare gjatë fillimit të shekullit XX dhe studimi i veprimtarisë dhe jetës së tij ka intriguar shumë studiues.

Studiuesi Hasan Bello e sjell Esat Pashën përmes dokumenteve të qeverisë Osmane në dy vëllime.

1354 faqet e dy vëllimeve përmbajne dokumente osmane që publikohen për herë të parë në lidhje me Esat Pashën.

Më poshtë, sjellim pjesë nga libri i studiuesit Hasan Bello, në të cilin paraqitet momenti kur Esat Pasha mban një fjalim në vitin 1910 në Parlamentin Osman ku shpreh shqetësimin në lidhje me keqtrajtimin e popullit shqiptar:

Në dekadën e parë të shek. XX, Esat Pashë Toptani ishte një nga personalitetet më të njohura në elitën politike xhonturke.

Kjo për dy arsye kryesore:

Së pari për faktin se ai kishte tentuar të vriste kryeministrin e Perandorisë Osmane, Rifat Pashën, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së të vëllait Gani Toptanit, me anë të shërbëtorit të tij (Xhiut të Fajes).

Ky i fundit, në pamundësi për të vrarë kryeministrin, i vret të birin. Së dyti, si një nga katër personat që i kishte komunikuar Sulltan Abdylhamidit II, vendimin e shfronësimit. Prandaj, ai gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm.

Si një personalitet me influencë në Shqipërinë e Mesme, ai u zgjodh deputet i kësaj zone në Parlamentin osman.

Gjatë mandatit të tij, i cili duhet theksuar se zgjati shumë pak, dy vite, Esat Pasha u shqua si një nga protagonistët kryesorë ndërmjet deputetëve shqiptarë.

Raportet e tij me Komitetin drejtues të partisë “Bashkim dhe Përparim” dhe kryeministrin, u acaruan për shkak të politikës represive që ata ndoqën në Vilajetin e Kosovës.

Me një qëndrim dinjitoz, pa u trembur aspak nga agresiviteti i xhonturqve, të cilët kishin shkuar në plumb kur ia kishte dashur nevoja edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë, Esat Pasha kritikoi ashpër në foltoren e parlamentit kabinetin qeveritar.

Qëndrimet e tij ai i bëri publike edhe në shtypin e kohës. Më 11 dhjetor 1910, “Gazeta e Re” (“Yeni Gazete”) e cila botohej në Stamboll botoi një letër të hapur të deputetit të Sanxhakut të Durrësit, Esat Pashë Toptani, drejtuar Vezirit të Madh.

Në këtë letër, ai i bënte thirrje kryeministrit që të jepte shpjegime për veprimet e kundërligjshme të gjykatave ushtarake që ishin ngritur në Shqipëri.

Në shenjë proteste, ai ishte i pari personalitet politik, jo vetëm ndërmjet shqiptarëve, por në të gjithë Perandorinë Osmane që në formë demonstrative u largua publikisht nga partia xhonturke. Këtë largim ai e arsyetoi me fjalët “Sjellja që qeveria ka mbajtur me shqiptarët muajt e fundit ka qenë absolutisht fatale për Shqipërinë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësisë së shkaktuar nga masat e jashtëzakonshme, shumë shqiptarë ose janë rebeluar dhe kanë gjetur strehë në male ose kanë marrë rrugën e mërgimit”.

Ai i deklaroi gazetës italiane “Coriere d’Italia” se ishte larguar nga partia “Bashkim dhe Përparim” për shkak të mungesës së lirisë dhe për më tepër kur të gjitha viktimat e persekutimet e qeverisë ushtarake ishin bashkatdhetarët e tij.

“Në cilësinë time si deputet shqiptar ishte detyra ime të protestoja energjikisht dhe të bashkohesha me kundërshtarët e qeverisë aktuale për të mbrojtur të drejtat e popullit që kam nderin të përfaqësoj. Për këto pasoja të rënda vendosa të shkëputem nga grupi i komitetit për t’iu përkushtuar plotësisht mbrojtjes së të drejtave tona kombëtare”.

Më poshtë po botojmë fjalimin e Esat Pashës në Parlamentin Osman:

“Zotërinj të ndershëm,
Jam shumë i prekur, pse do flas kundër një Kabineti, të cilit unë i pata dhënë votëbesimin. Por, jam i shtrënguar ta bëj këtë gjë, sepse, veprat e anëtarëve të Kabinetit në kundërshtim me Kushtetutën e Perandorisë meritojnë të vihen në dukje dhe të kritikohen.

Aristid Pasha tha se çarmatimi në Shqipëri i dha shkak debateve të ashpra në Parlament.

Por, unë ju siguroj se sa për çarmatimin nuk ka kundërshtim asnjë nga deputetët shqiptarë dhe asnjë shqiptar kushdo qoftë ai.

Por, Qeveria nuk mblodhi armë. Me këtë pretekst shtypi popullin. Të mblidhte vetëm armët, bëri punën më të mirë. Por me pretekst të çarmatimit e pas çarmatimit u bënë dhe u kryen një tok veprash që thyen zemrat e shqiptarëve. Shqiptarët u morën nëpër kambë, u shtypën, iu dha më i forti grusht amour-propre-it të tyre.

Me një fjalë, nuk u la asnjë e keqe pa iu bërë shqiptarëvet çka nuk do t`ua bëjshin njerëzve më të ligj në botë.

Ushtria që zbatonte në këtë rast politikën qeveritare nuk kujtoi as Zot as kurrgjë në veprën barbare që bëri ndaj shqiptarëve. Vetëm për një gjë falënderoj Qeverinë: që nuk i njollosi shqiptarët me tendenca reaksioni e separatizmi.

Pse, Zoti të na ruaj sikur të na vihej dhe kjo njollë ne shqiptarëve, atëherë kushedi se ç`fat tragjik na priste.

E pohoi vetë Shkëlqesia e Tij, Kryeministri, se kryengritja shqiptare në Kosovë nuk ka tendenca as reaksioni as separatizmi, por vetëm pasojë e një provokacioni nga ana e disa feudalëve që i shikonin të humbura interesat e tyre nga regjimi i mëparshëm.

Por, unë as në këtë mendim e akuzë të Shkëlqesisë së Tij, nuk bashkohem me të.

Sepse unë kryengritjen shqiptare të Kosovës mund t`a karakterizoj si një kryengritje të përgatitur prej vetë qeverisë (zhurmë). Tjetër soj, nuk e cilëson kjo mendja ime atë kryengritje. T`jua shpjegoj pak se si filloi ajo kryengritje?

Riza Pasha (deputet i Karahisar) – Nuk po e kuptoj si mundet me qenë e pregatitur prej Qeverisë një kryengritje?

Esad Pasha – Po, një kryengritje e pregatitur bash prej Qeverisë dhe i dha provat.

Kryeministri – Si Zotëri, një kryengritje e pregatitur prej Qeverisë?

Esad Pasha – Po, zotëri po.

Kryeministri – Marshallah!

Ismail bej – Nuk po dëgjojmë gjë pasha, flisni me zë më të lartë.

Esad Pasha – Mirë, mirë. Po e para herë që po flas prej kësaj tribune. Unë kam një nderim për anëtarët e Kabinetit. Por çfarë të bëj? E drejta e njeriut është më e shenjtë se nderimi që kemi për ndokënd.

Kryengritja shqiptare nisi, si e dimë të gjithë, vitin e kaluar. Dhe e nisi Xhavit Pasha. Ky i vuri zjarrin katundeve dhe i shkatërroi. Shqiptarët i paraqitën Kabinetit një kërkesë, me të cilën i ranë Qeverisë ndër këmbë duke kërkuar prej saj mëshirë, pasi ajo i dogji dhe i poqi, i la pa plëng e pa shtëpi, rrugëve, në më të madhin mjerim.

Kësaj kërkese, që iu dha Qeverisë me anë të deputetit, Jahja beut nuk iu vu aspak veshi. Megjithëse Jahja beu u interesua dhe i ra asaj prapa, prapë nuk u interesua kush për të. Madje, Qeveria nuk denjoi të bënte një hetim, mirë – keq rreth kërkesave të shqiptarëve. Pas disa muajsh lindi turbullimi i Pejës. Këtu u plagos Prefekti.

Dhe fill pas këtij turbullimi shpërtheu ngjarja e Prishtinës. Pse u plagos Prefekti në Pejë? Mbi këtë ngjarje ka disa versione.

Unë prefektin e Pejës Ismail Hakki beun e njoh për njeri të ndershëm. Dhe nuk besoj të jenë të vërteta fjalët që thuhen për të: se është plagosur për shkak të një vajze (zhurmë, zëra: nuk dini gjë).

Ne kemi për detyrë zotërinj, për ta diskutuar çështjen gjithsesi, për të nxjerrë në shesh të vërtetën; se atëherë i gjendet bari së keqes. Unë nuk po them se e besoj, ashtu qe thënë. E pra, Qeveria e kishte për detyrë të hetonte dhe të jepte një sqarim. Këtë nuk e bëri, shkaku i turbullimeve në Prishtinë është pazotësia e nënpunësave në administrimin e vendit.

Siç thashë incidentit të Pejës, Qeveria nuk ia vuri veshin dhe në vend të Ismail Hakki beut, të cilin e dërgoi si vali në Bitlis a në Musul si Prefekt, dërgoi një kolonel ushtrie. Pse e gradoi Qeveria Ismail Hakki beun, kjo është punë për të. Sigurisht për shërbimet që i solli.

Por na habit një fakt: Dërgimi i Xhafer Tajar beut, vëlla i Ismail Hakki beut në Pejë, kolonel, ushtria e të cilit nuk ka dijeninë më të vogël për veprimet e administratës.

Pra derisa Qeveria çon në Pejë vëllanë e një njeriu që qe plagosur aty, do të thotë se Qeveria ushqehet me qëllime hakmarrëse kundër atij vendi.

Edhe ëngjëll të jetë njeriu zgjohen padyshim tek ai ndjenjat e hakmarrjes kundër një popullsie midis së cilës i është plagosur vëllai. Xhafer Tajar beu është i ri, trim dhe energjik.

Riza Pasha (Karahisar) – A ka shkëlqesë ndonjë provë se aty ka filluar me veprat e tij hakmarrëse?

Esad Pasha – Këtë e provon dërgimi i tij në Pejë. Qeveria i tha atij: -“Që, ty po të çojmë Prefekt në Pejë. Bëj si të vijë “më mirë” me
shqiptarët”.

Rrethanat zotërinj provojnë qëllimin e keq të Qeverisë. Mua kështu
më është mbushur mendja dhe jua lë juve t`a çmoni se a duhej a jo të vepronte në këtë mënyrë Qeveria përsa i përket dërgimit në Pejë të Xhafer Tajar beut.

Ndërmjet anëtarëve të Kabinetit ka lindur ideja e një hakmarrjeje kundër shqiptarëve (zhurmë, zëra që e refuzojnë).

Kryeministri – Këto fjalë janë gati një shpifje që i bëhet Qeverisë. Më dëshironte zemra që këto mos të përsëriteshin më në Parlament.

Ndoshta thuhen për të bërë një përshtypje mes shqiptarëve. Qeveria i ka shpreh disa herë ndjesitë e dashurisë së saj që ka për shqiptarët. Këtë dashuri e ruan gjithnjë.

Esad Pasha – Mundet. Por faktet, si po më duket provojnë të kundërtën.

Hamdi bej (Preveza) – Mendimi i juaj, Pasha. Nuk flisni në emër të gjithëve.

Hasan bej (Prishtina) – Nuk e besoj t`i ketë shërbyer Qeveria ndonjë qëllimi të tillë. Por Esad pasha do të dalë tek qëllimi: Të provojë se ngjarjeve në Kosovë u dha shkak vetë Qeveria.

Esad Pasha – Ngjarjet e Prishtinës lindën nga inkompetenca e nënpunësve në administratën e vendit. Atje u aplikua një taksë, taksa e oktrovës që nuk aplikohet as në qytetet tona më të zhvilluara.

Ndër vise popullsia e së cilës nuk është mësuar kurrë të njohë autoritetet qeveritare, aplikimi i një takse të tillë padyshim do të shkaktonte një pakënaqësi. Ta supozojmë për një çast se Kryengritja e Kosovës nuk mund të justifikohet kurrsesi.

Po shqiptarët e Manastirit dhe të Shkodrësç`bënë? Këta, përkundrazi iu çuan fjalë kosovarëve të ruhen të mos i nxjerrin turbullime qeverisë, se ne na keni kundër dhe jemi gati të ndihmojmë Qeverinë.

Shqiptarët e kanë mbretin babë, e para si me u çue kundra babës! Fill pasi u shpall Kushtetuta shkova në Shkodër dhe këtu pashë me sytë e mi se si shkodranët përgëzonin njëri-tjetrin dhe merrnin në qafë njëri-tjetrin pse u qe dhënë liria.

Dyzetë vetë prej Shkodre, ndër të cilët isha dhe vetë, erdhën në Selanik për të marrë pjesë në manifestimet gazmore të këtij qyteti.

Këtu u pritëm me bujë e simpati të madhe. U mbajtën fjalime dhe u brohorit për lirinë dhënë.

U tha ndër ato fjalime se ne nën hijen e këtij konstitucioni mundemi të mbahemi në këmbë dhe të përparojmë. Dhe ky mendim d.m.th se vetëm me konstitucion mundet njeriu të fitojë i lirë u hyri në kokë dhe malësorëve që ishin prezent. Zemrat plot gëzim e plot shpresë kthehen në Shkodër. Shkodranët ndenjën urtë dhe të bindur ndaj Qeverisë.

Po ç`panë prapa shkodranët. Ushtria që kishte kryer operacionet e veta në Kosovë zbret në Shkodër. Kjo ushtri e përbërë prej 10 batalionesh, pse vinte në Shkodër?

Me gjithë këtë shkodranët e pritën ushtrinë plot gëzim e me krahë hapur. Të gjithë myslimanë e të krishterë. Pas ushtrisë vjen në Shkodër Turgut Pasha.

Këtij i dalin para e gjithë paria e Shkodrës. Po ç`ngjau? Ushtarët që kishte pas vetes Turgut pasha sulmojnë shkodranët, i vënë nën këmbë dhe u marrin armët.

Kështu u shpërblye mikpritja që dëshmuan shkodranët kundrejtë ushtrisë dhe kundrejtë komandantit të saj.

Ministri i Luftës – Po gënjeni. Armët u mblodhën pasi kaloi afati i 10 ditëve që u qe dhënë banorëve. Ushtria nuk ka vepruar në atë mënyrë dinake si doni t`a cilësoni ju.

Esad Pasha – Mos ma ndërpritni fjalën. Kam të drejtë të flas dhe do të flas.

Ministri i Luftës – Flisni por mos gënjeni. Turgut Pasha është një personalitet që i ka shërbyer shumë Mbretërisë, një personalitet ushtarak. Nuk ka dalë nga xhandarmëria (aluzion ndaj Esad Pashës që ka qenë Komandant i Xhandarmërisë).

Esad Pasha – Kështu u sollën ushtarët. Nuk po them për Komandantin.

Ministri i Luftës – Por ushtarët atë kanë pasur mbi vete Komandant.

Riza bej (Shkodra) – Dhe unë isha prezent kur erdhi në Shkodër Turgut Pasha (zhurmë).

Esad Pasha – Ushtarët çarmatosën shkodranët. Rrahën keq Abas beun, një nga paria e Shkodrës, shtëpia e të cilit brez pas brezi i ka shërbyer Qeverisë. Nëse zmadhoj gjë në këtë rast, më thoni i “poshtër” apo si të doni. Por e vërteta qëndron kështu. Një ditë bëhet një shpallje, ftohet populli i Shkodrës në një “spektakël”. E çfarë me pa? Abas beu po rrihej me muzikë në oborr të Qeverisë. Ja tek është këtu deputeti i Shkodrës. Pyeteni në gënjej. Nuk e kam për ves gënjeshtrën. Mbi këtë ngjarje mandej populli revoltohet dhe merr malet. Dikush kalon në Mal të Zi. Shkodra ruan këtë gjendje edhe sot. Aty është vali, Bedri Pasha. Njeri i zoti dhe i ndershëm. Pyeteni telegrafisht dhe i thoni se kështu po thotë Esad Pasha, a janë të vërteta fjalët e tij. Në qoftë se ai thotë se Esad Pasha ka gënjyer unë largohem prej këtu, madje edhe prej kësaj jete.

Ministri i Luftës – Të kishin ndodhur këto gjëra, Bedri Pasha kishte lajmëruar vetë.

Esad Pasha – Bedri Pasha ka kundërshtuar këto mizori. U ka thënë atyre që lejojnë ato mbrapshtira: Mos bëni kështu, unë nuk mund t`ju duroj, iki. E mos qe ky Bedri Pasha që t`i zbusë zemrën atyre të parëve të ushtrisë, shkodranët do ta kishin edhe më pisk.

Kjo ushtri zotërinj prej Shkodre vjen në Durrës. Në Durrës u takova me Turgut Pashën. Njeri fort xhentilmen. Më tha: “Jam shumë i kënaqur në këtë vend.

Sikur të ishin kështu të gjitha krahinat e Shqipërisë, sdo të qe nevoja për ndonjë operacion”.

“Por në mbrëmje pamë shpalljen e shtet-rrethimit. Prej Durrësit Turgut Pasha shkoi në Tiranë. Të gjithë e pritën aty bujarisht.

Pasha dhe këtu mbeti i kënaqur dhe madje pamja e vëndit këtu i pëlqeu fort.

Por as këtu nuk zgjati shumë dhe menjëherë u burgosën shumë ulema dhe agallarë të qytetit. Ndër ulematë them emrat e Sheh Myslimit dhe Hafiz Aliut.

Ç’ka më zi, këta dhe u rrahën botërisht.

U shtruen përdhe prej ushtarëve dhe pasi u qëlluan njëherë mirë e mirë me ujë iu dhanë shkopin shpinës!

Shkaku paska qenë se atyre u qënkan gjetur disa fletore që nxirrte Dervish Hima.

Por fletorja u ishte dërguar atyre me postë, pa ditur as ata vetë gjë se kush e dërgonte. Të dy ata u dhanë mandej edhe në Gjyq Ushtarak.

Ismail Hakki Pasha (Amasja) – Shumë të drejta këta.

Esad Pasha – Zotërinj, në Babi-Ali (Porta e Lartë) kemi mjaft nënpunësa të zot, të ndershëm e atdhetarë. Mandej ka dhe syresh të diplomuar në Turqi.

Pra, pse Qeveria sheh nevojën të emërojë ushtarakë në poste të administratës civile?

Këto lloj emërimesh përveç se janë në kundërshtim me ligjet në fuqi, por i japin në anën tjetër shkak edhe keqkuptimeve, të cilat munden të kenë pasoja të padëshirueshme.

Një oficer sado i aftë të jetë, duhet graduar në karierën e tij.

Ne nuk e kuptojmë, prandaj duam të dime arsyen se pse në administratën civile po përdoren ushtarakë?

Po kthehem prapë te dy të burgosurit në Tiranë. Siç thashë, këta iu dërguan Gjyqit Ushtarak dhe Gjyqi nuk gjeti prova për fajësinë e tyre dhe i liroi.

Gjyqi bëri drejtësinë e tij. Por konsekuenca e kësaj burgosjeje e rrahje ishte tragjike për njërin nga të akuzuarit. Sheh Myslimi luajti mendsh.

Pyetni Shkëlqesa Juaj Kryeministër a është edhe kjo rrenë?

Ju patët thënë një ditë se Gjygjet Ushtarake veprojnë me butësi.

Do t`ju lexoj një proces-verbal që të kuptoni se me sa butësi janë duke vepruar në Shqipëri Gjyqet Ushtarake. /abcnews.al