Zbulohet dosja “Tepër Sekret” e “Vigjilentit” të Enver Hoxhës: Nuk më vjen keq fare, po valixhja?

schedule07:26 - 5 Dhjetor, 2021

schedule 07:26 - 5 Dhjetor, 2021

Dashnor Kaloci

Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

                                                    Marrë nga P.O. Maliq Mersini

                                                    Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”

                                                    Vlorë më 14/IV/1959

                                                    R A P O R T

Prej datës 6 deri më 14 Prill 1959, nuk është diskutuar ndonjë çështje politike ose ekonomike, por ju njoftoj mbi gjendjen shëndetësore të Gjovalin Lukës.

Gjovalin Luka, që kur erdhi major Gole Bashari dhe i tha se presim që të lirohen vende në spital dhe do të të shtrojmë, Gjovalini bëri dy telegrame të shoqes dhe një të atit, me qëllim që këta të mos shpenzonin për blerjen _______ që duhej për shërimin e Gjovalinit. Gjovalini i tha atij se familja kish gjetë 60-70 gr. _________ por do ju them që të mos e blejnë mbasi këtu jam sëmurë dhe këtu duhet të më shërojnë, ose të më lirojnë që ta kurojë veten.

Ardhje dhe takimi i Gjovalinit me të atin, ka pas për qëllim që të mos e blenin _______ dhe për këtë do t’i porosiste Gjovalini, pra bërja e dy telegrameve nga ana e Gjovalinit këtë qëllim pati.

Gjovalini, fjalën e shokut major Gole, e ka pritë me qejf dhe është në pritje të çdo dite që të shtrohet në spital dhe thotë tani nuk po sëmurem më dhe ka filluar të punojë në baçe me qëllim që të sëmuret, këtu e ka thënë në prezencë të Nuri Hutës, Xhafer Vokshit dhe Rasim Tahirit, d.m.th., se ai dëshiron të sëmuret me qëllim që të shtrohet në Spital ose të lirohet dhe të mjekohet në shtëpi të vet. Prandaj ai e bën alarm çështjen e sëmundjes, por në fakt nuk është kaq i sëmurë, tani është fare mirë.

Peço Fidhi, ky është në pritje të lirimit. I ka treguar Rasimit se kur ishte në Tiranë, gjatë kthimit për në Vlorë, ka qëndruar në Fier dhe aty një herë për një herë ka pasë frikë se mos ballafaqohet me ndonjë njeri, por më vonë tha se nuk u takova me as një njeri që të ballafaqohesha, por erdhi major Qemal Hyseni dhe i tha që ta vazhdojë.

Pëllumb Dishnica, ky tani nuk paraqitet si më përpara i frikësuar, por me gjithë atë telat dhe litarët i mban nën shtratit, rri duke lexuar një nga romanet që i kanë ardhur Pëllumbit e Gjovalinit, në gjuhën frënge.

Xhafer Vokshi: ky gjatë këtyre ditëve ka qenë i mërzitur se nuk ka marrë letër dhe nuk dinte për të shoqen në se është futur në punë, por nuk flet gjë, tashti mori letër dhe e shoqja ishte në punë.

Xhavit Qesja, rri më të shumtën e kohës vetëm dhe lexon romane frëngjisht, paraqitet i mërzitur por nuk i shfaqet kurrkujt. Vendimi mbi ndarjen me gruan nuk i bëri përshtypje.

Është biseduar çështja e Ibrahim Dervishit dhe Peço Fidhi pyeti pse u hoq si Ministër i Shëndetësisë, Xhavit Qesja ju përgjigj se rrahu një nxënës. Peço tha se ishte më i zoti Medar Shtylla, Xhaviti e aprovon një gjë të tillë dhe tha se Medar Shtylla është dembel i madh. Peço në këtë rast tha, mirë, po e kanë vënë Kryetar të Kuvendit Popullor dhe Kryetar të Komitetit të Paqes, ndërsa Xhaviti nuk foli, por tha vetëm se dembelët nuk i duroj dot.

Xhaviti sot ju dha vendimi i gjyqit mbi ndarjen me gruan, të cilit nuk i bëri ndonjë përshtypje, të shohim se ç’komente do të bëhen në lidhje me këtë vendim më vonë.

Nuri Huta, nuk flet as çështje politike as ekonomike, po rri e punon baçen.

                                                                 “VIGJILENTI”

Vlorë, më 14/IV/1959

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

                                                            Marrë nga P.O. Maliq Mersini

                                                            Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”

                                                            Vlorë më 22/IV/1959

                                                           R A P O R T

Prej datës 14 deri më 21 prill 1959, janë biseduar këto çështje nga personat e poshtë-shënuar.

Peço Fidhi i tha Rasimi Tahirit se ndarja e gruas së Xhavit Qeses duhesh t’u bënte dhe mue ma thanë këtë në Vlorë dhe biseduam që e shoqja e Xhavitit ka çuar në Ministrinë e P. të Brendshme një valixhe për Xhavitin dhe ka thënë se kjo i takon. Për valixhen, Peço ja tha Xhavitit kur erdhi nga Vlora herën e fundit.

Xhafer Vokshi, i tha Rasimit se ndarja e të shoqes së Xhavitit është mister dhe Xhavitit nuk i bën përshtypje, kjo vërtetohet si nga lajmërimi për ndarjen ashtu dhe tani që i erdhi vendimi.

Pëllumb Dishnica, i tha Rasimit se i ka thënë Xhavitit pse nuk kërkon plaçkat e tua dhe Xhaviti i është përgjigjur: t’i kenë fëmijët. Pëllumbi i qan hallin shumë Xhavitit dhe thotë se më vjen keq. Ky e ka këshilluar Xhavitin, që të kërkojë plaçkat e tija por Xhaviti nuk kërkon asgjë.

Gjovalin Luka, ka thënë se njësoj janë, si e shoqja e Xhavitit dhe Xhaviti, prandaj nuk më vjen keq fare.

Peço Fidhi, duke folur për raportin e Hrushovit në Kongresin e 21-të, tha suksese të mëdha ka arritur Bashkimi Sovjetik dhe më ta mëdha do të arrijë. Sh. Hrushov është energjik, megjithëse mbushi 65 vjeç. Në këtë mes, Xhafer Vokshi tha se Stalini vdiq shpejt dhe kjo nga se e lodhi Lufta e Dytë Botërore. Peço në këtë rast tha jo nga lufta, se Stalini në Luftën e II-të Botërore nuk u tregua i zoti dhe pati besim tek Gjermanët, bile gjermanët kur u afruan në Moskë, Stalini ka dashur me ik e me e lënë Moskën, por Molotovi nuk e ka lënë. Xhaferi nuk e pranoi këtë, por Peço tha se unë këtë e di nga letrat dhe fjala që ka thënë Hrushovi, se Stalini ka tentuar me lënë Moskën, Xhaferi tha se nuk është kështu, gabimi i Stalinit ka qenë se nuk i ka besuar atasheut ushtarak në Berlin, për sulmin e befasishëm që po përgatisnin gjermanët kundër Bashkimit Sovjetik

Gjovalin Luka, nuk ankohet më si më parë për sëmundjen, është në pritje për të shkuar në spital.

“VIGJILENTI”

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

 Vlorë më 22/IV/1959

                                                        Marrë nga P.O. Maliq Mersini

                                                        Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”

                                                        R A P O R T

Pëllumb Dishnica, duke lexuar gazetën “Zëri i Popullit” të datës 21 prill 1959, ku ishte shkruar mbi 35 vjetorin e vrasjes së Avni Rustemit, nga shoku Koço Tashko, ku thuhesh se idetë e Avniut ishin përhapur nga Libohova në Krumën e Bajramit, nga Kruma në Libohovë dhe kalonin në mes Korçës së Mihal Gramenos e Seit Butkës. Pëllumbi tha se Sehit Butkën nuk e njeh populli i Korçës, prandaj nuk është e vërtetë, por ja fusin kot dhe i bëri përshtypje që ishte vënë emri i Seit Butkës. Me mendimin e Pëllumbit, ishte dakord edhe Xhafer Vokshi, i cili tha se Seit Butka ka prish të gjithë manastiret duke i djegur.

Xhafer Vokshi, duke biseduar me Rasim Tahirin dhe Pëllumb Dishnicën në lidhje me Nush Shllakun, tha se shoku _______ nuk e ka lënë rehat dhe i ka rënë më qafë Nushit për të kaluarën e tij, pasi Nushi në kohën e fashizmit ka veshur rrobat fashiste dhe Xhafer Spahiu e ka konsideruar si fashist Nushin, kurse kjo nuk është e vërtetë, tha Xhaferi, pasi Nushi ka punuar më shumë se Xhaferi gjatë luftës. Këtë mendim të Xhafer Vokshit e përkrahu Pëllumb Dishnica, i cili shtoi duke thënë se kur Nushi i kishte pozitat të vështira si Drejtor i “Misto Mames”, unë e propozoja për t’u dekoruar dhe aprovohesh dekorimi i Nushit, sa herë që vinin ankes kundër Nushit, thotë Pëllumbi, unë ja mbuloja dhe nuk vija veshin mbasi e bënin me qëllim Nushit.

Xhafer Vokshi, duke biseduar me Rasim Tahirin, me keqardhje tha se mbaroi dhe familja e Jakovajve, fjalën e kishte për Tukun, Franon e Filipin, për të cilët i vjen keq, kurse për Kolë Jakovën, ka thënë se ai diti të shpëtonte.

Peço Fidhi, duke biseduar me Rasimin, tha se nuk paska lirim, Sigurimi paska pas hallin sa i thashë ato dhe pastaj të shohim, fjalët e Ministrit dhe gjeneralit që thanë lërja Partisë në dorë, e premtime të tjera, paskan pasë qëllim vetëm që të bëja kritikën dhe jo të lirohesha.

Peço, duke biseduar me Rasimin rreth uljes së çmimeve, tha se në vitin 1956, udhëheqësit e Partisë e të Shtetit kanë bërë jetë përrallore, si në ushqime ashtu dhe në veshmbathje, kurse populli vuante. Këtë tha Peço, e kam pas biseduar me Bajram Avdinë, që punon në Aparat të Komitetit Qendror, kurse tani udhëheqësit jetojnë më ndryshe, dalin ndër kooperativa bujqësore e rrethe dhe nuk ndruhen.

Peço, për ndarjen e të shoqes me Xhavit Qesen, tha se siç duket këta nuk do kenë shkuar mirë. Po të qe se ajo do ta ndante qysh në Korrik – Gusht 1958, sapo erdhëm ne këtu, kjo do të ishte e vërtetë, por duke e bërë këtë tani ajo, këtu ka një pikëpyetje. Kurse Xhafer Vokshi, po për këtë çështje i tha Rasimit, se Xhaviti e ka bërë me fjalë me të shoqen, se po të qe ndryshe, atëhere Xhaviti do të kishte sharë ndonjë herë të shoqen ose ta lavdëronte, por rri e nuk flet, lexon vetëm dhe nuk i bëri përshtypje as komunikimi i gjyqit e as vendimi i ndarjes.

Gjovalin Luka, ky tani nuk ankohet më për sëmundjen, porse opinion i Xhavitit, Xhaferit dhe Pëllumbit, në lidhje me sëmundjen e Gjovalinit, është se ai e ka bërë alarm me qëllim këtë dhe në fakt nuk ka qenë kaq i sëmurë sa paraqitej.

Nuri Huta: ky nuk flet ndonjë gjë, punon baçen me Gjovalinin, po kështu as Gjovalini nuk flet gjë.

Xhavit Qesja, rri vetëm duke lexuar, nuk ka folur ndonjë çështje politike ose ekonomike gjatë kësaj kohe, tregon vetëm mbi romanet që lexon italisht e frëngjisht. Xhaviti kënaqet kur Xhafer Vokshi, i flet keq për Aqif Lleshin dhe Xhaviti ja vërteton, duke i thënë se gjithmonë shtëpia e Aqifit dhe e të atit të Haxhi Lleshit kanë ngrënë me çdo qeveri, prandaj nuk kanë qenë kurrë patriot, as Aqifi as i ati i Sh. Haxhi Lleshi, por kush t’u japë.

Peço Fidhi, ka thënë se Zhukovin e hoqën pse ka bërë gabime politike kur ishte në Jugosllavi, ka ngritur Titon dhe nuk është kryesorja ajo që thuhet në rezolucion për të. Kurse për shokun Hrushov, Peço thotë se në fillim më dukej si shumë llafazan, por tani e kuptoj se paska qenë me të vërtetë nxënësi i Leninit.

“VIGJILENTI”

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

                                                         Marrë nga P.O. Maliq Mersini

                                                        Dhënë nga B.p. “Vëzhguesi”

                                                         Vlorë më 4/V/195

                                                        R A P O R T

Po shënoj këtu poshtë pjesë të shkëputura nga bisedime të zakonshme, pasi në përgjithësi kam përshtypjen se nuk bëhen “diskutime të flakta”, sepse këtu është hapur fjala (e kam dëgjuar nga Gjovalini dhe Xhaferi), se janë bërë arrestime në element anti-parti të Konferencës së Tiranës, se Tuku, Bedriu, Hulusiu, etj; janë dënuar dhe ndodhen në Burrel. Kështu që rrinë veç e veç, si të hutuar.

Gjovalin Luka, duke biseduar për çështje të letërsisë, në një bisedim me mua më tha se:

  1. Është marrëzi të përcaktohet dialekti toskë si gjuhë letrare, pasi atë do ta determinojë vetë zhvillimi i gjuhës.
  2. Se qyesh mbas çlirimit u krijua një hendek i thellë midis veriut dhe jugut, një ndarje në toskë e gegë që manifestohet në çështjet e kuadrit, në dërgimin e brigadave kulturale në veri të formuara me element nga jugu, brigada që nuk kanë bërë punë, mbasi populli është tallur me ta, sikur këto brigade nuk mund të formoheshin me njerëz nga veriu. Kjo ndarje ekziston akoma dhe përcaktimi i dialektit toskërisht si gjuhë zyrtare, e acaron akoma më tepër (në këtë rast më përmendi anekdota shkodrane në lidhje me toskërishten).
  3. Duke folur për poetin At Gjergj Fishta, më tha se çështja e Fishtës nuk mund të zgjidhet me dekrete nga lartë, ai nuk ka vetëm gjëra të këqija, por ka edhe gjëra fortë të mira, por e mira të mirave është me heshtë, pasi kjo është një çështje me zarar.

Duke folur për letërsinë e sotme, më tha se në shkrimtarët mbizotëron dallkaukllëku dhe lekizmi (tendenca për të fituar lek), se gjersa shkrimtari nuk është i lirë në zgjedhjen e konflikteve ashtu siç janë në jetën e përditshme, aty nuk ke art por politikë. Më tha se dinte rastin e një djaloshi të ri që paska dalë nga bankat e shkollës si poet dhe qenka dërguar në Bashkimin Sovjetik për studime, por mbasi ishte kthyer dhe e kishte pyetur Gjovalinin për partishmërinë në letërsi, i paska thënë: Punë e kollajtë partishmëria, unë në çdo vjershë fus dy-tri herë fjalën Parti dhe Enver dhe mbaron puna, ç’më duhet t’i hap telashe vetes, çudi bile se si kuptoni ju të tjerët këtë! (emrin e tij nuk ma tha). Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!