“Kemi një ekip të ri, por kemi nevojë për lojtarë me eksperiencë. Nuk më pëlqen merkato e janarit, por ndonjëherë është e nevojshme. Mund të investojmë te ndonjë lojtar me eksperiencë, siç bëmë me Higuain”, u shpreh Ivan Gazidis, administratori i deleguar i Milanit, gjatë ditës së djeshme.
Gazzetta dello Sport raporton se ky lojtar pritet të jetë Ivan Rakitic. Mesfushori e ka humbur postin e titullarit te Barcelona dhe është gati për të nisur një aventurë tjetër. Edhe Interi interesohej prej kohësh për kroatin, por klubi zikaltër mohoi këto zëra dhe është tërhequr nga gara.
Kartoni i Rakitic vlen rreth 35-40 milionë euro dhe Milani nuk do të hasë probleme për të paguar një shifër të tillë. Nënkampioni i botës do të ishte një përforcim perfekt për mesfushën e ekipit të Piolit.
“Djalli” ka marrë një lajm të mirë nga infermieria. Mattia Caldara ka lënë pas krahëve problemet e shumta dhe dje është bashkuar me grupin në stërvitje. Të gjithë shpresojnë që periudha e vështirë e qendërmbrojtësit të ketë mbaruar dhe 25-vjeçari është gati të japë kontributin e tij për Milanin. /abcnews.al