Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan në Astana më 3 dhe 4 korrik, njoftoi presidenti rus të martën, gjatë takimit të tij me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan.
Ministri i Jashtëm turk ndodhet në Rusi për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të BRICS në qytetin rus të Nizhny Novgorod, në lindje të Moskës. Takimi i tij me Vladimir Putin u zhvillua në margjinat e samitit.
“Ne mirëpresim interesin e Turqisë në punën e BRICS. Ne mirëpresim zhvillimin e marrëdhënieve me Turqinë. Të gjitha zhvillimet po bëhen nën udhëheqjen e mikut tim, presidentit Erdogan”, tha presidenti rus.
Në deklaratën e tij para takimit, Putin vlerësoi interesin e Turqisë për grupin BRICS, duke thënë: “Ne mirëpresim interesin e Turqisë në punën e BRICS.
Ju kërkoj t’i përcillni presidentit Erdogan urimet e mia më të mira. Shpresoj te takohemi sa me shpejt.
Mendoj se ai do të jetë në Astana më 3 dhe 4 korrik si pjesë e një ngjarjeje ndërkombëtare dhe do të na jepet mundësia të takohemi dhe të diskutojmë të gjitha çështjet aktuale”, shtoi Vladimir Putin duke iu drejtuar kreut të diplomacisë turke.
Më herët, djE në mëngjes, Hakan Fidan është takuar me homologun e tij rus Sergei Lavrov, ndërsa dje të hënën ka takuar sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Sergei Shoigu dhe kreun e shërbimit inteligjent rus, Sergei Naryskin.
Ai gjithashtu mori pjesë në një ngjarje të organizuar nga Shoqata e Biznesit Ruso-Turk në Moskë.
Më 3 qershor, ministri i Jashtëm turk Fidan, në Kinë për bisedime, i pyetur nëse vendi do të anëtarësohej në BRICS, u përgjigj “nëse është në interesin e Turqisë, pse jo?”
Mundësia që Turqia të kërkonte të bashkohej me BRICS shkaktoi një sensacion.
Deklarata e Fidan u prit pozitivisht veçanërisht nga Moska. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov shprehu kënaqësinë e Rusisë me dëshirën e Turqisë për t’u bashkuar me vendet e BRICS dhe tha se çështja do të jetë në axhendën e samitit të ardhshëm të grupit.
Ai vuri në dukje se interesimi për BRICS nga shtete të ndryshme është në rritje, por nuk është e mundur të bashkohen të gjitha vendet e interesuara.
Grupi BRICS u themelua nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, më pas iu bashkua Afrika e Jugut, përpara se të pasohej zgjerimi i mëtejshëm në vitin 2024, me shtimin e Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
/abcnews.al