Zbulohen “porositë” e Bashës për Kushtetutën e re

schedule18:30 - 19 Tetor, 2021

schedule 18:30 - 19 Tetor, 2021

“ABC” ka zbardhur detaje nga “porositë” që Lulzim Basha u dha deputetëve demokratë të Komisionit të Ligjeve në mbledhjen e zhvilluar pasditen e sotme për tre nismat që do të depozitojë nesër në Kuvend. Nismat, lideri i PD-së tha se janë për shqiptarët dhe jo për Partinë Demokratike.

Amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin te çmimet, te pamundësia për të përballuar kostot e jetesës, në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me për kthimin e legjitimitetit, te zgjedhjet e lira dhe të  ndershme.

Pra nuk po ndërmarrim këto iniciativa për Partinë Demokratike, por për shqiptarët, që të kenë mundësi të zgjedhin dhe mundësi për të zgjedhur kandidatët që nuk kanë lidhje me krimin, kandidatë që nuk kanë lidhje me korrupsionin.

Nga ecja përpara e këtyre iniciativave, përfitojnë qytetarët, si në rastin e zgjedhores dhe asaj territoriale, ashtu edhe në rastin e vetingut në politikë, jo një parti apo një tjetër, por cdo qytetar që kërkon ndryshim, që kërkon përfaqësim, që kërkon një politikë të pastër, larg ndikimit të krimit dhe korrupsionit” tha Basha.

Cilat janë dhe çfarë kërkon PD me ndryshimet e fundit?

Demokratët në thelb kërkojnë një Kushtetutë të re. Në dokumentin me ndryshimet kushtetuese demokratët përcaktojnë mënyrën se si do të realizohet kontrolli i thelluar i pasurisë dhe të pastërtisë së figurës së politikanëve në të gjitha nivelet.

Demokratët i kanë qëndruar propozimit të 2018 për të larguar nga politika këdo që nuk justifikon dot pasurinë apo ka kontaktet e papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Këtij kontrolli do t’i nënshtrohen deputetet, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetarët e bashkive, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.

Por pjesë e kontrollit do të jenë edhe familjarët e politikanëve të cilët mund të jenë përcaktues me pasurinë dhe kontaktet për mandatin e të zgjedhurve.

Ndryshe nga viti 2018 këtë herë demokratët duket se e kanë gjetur organin që do ta kryej vetingun e politikanëve. Në amendamentet kushtetuese, demokratët kërkojnë edhe një hartë të re territoriale duke rikthyer konceptin e komunave si njësi administrative.

Pas ndryshimit të hartës territoriale në vitin 2014, Shqipëria u nda në 61 njësi administrative. Demokratët  përcaktojnë që komunat të përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale.

Demokratët në grupin me amendamente propozojnë edhe rikthimin e koalicioneve parazgjedhore të hequra nga Kushtetuta në ndryshimet e 30 korrikut 2020. Gjithashtu në Kushtetutë hiqet përcaktimi që 2/3 e listave të jetë e hapur duke i dhënë mundësi ndryshimeve në kod për t’i hapur listat 100%./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!