“Kurum” pranon ndërprerjen e punës/ Kompania turke konfirmon shkurtimet e punonjësve nga puna

schedule16:28 - 26 Gusht, 2024

schedule 16:28 - 26 Gusht, 2024

Kompania turke Kurum vijon te jete e mbyllur pasi ka nxjerre te pa pune 500 punonjës pa asnjë shpjegim, menjëherë pas skandalit të transportit drejt Tajlandës të mbetjeve të dala nga kjo kompani. Kompania turke me aktivitet në Shqipëri nuk pranon të japë sqarim për arsyet e kësaj ndërprerje, dhe asnjë sqarim për punëtorët qe u ka detyrim shpjegimin e situatës dhe respektimin e marrëdhënieve kontraktuale.

Këtë të hënë, disa ditë, pasi është raportuar mbyllja e aktivitetit të Kurum, Inspektorati Shtetëror i Punës është vënë në lëvizje duke tentuar të kërkojë informacion dhe e monitorojë gjendjen në këtë biznes. Institucioni bën të ditur se nga kompania i është thënë që punonjësit janë me leje vjetore. Sipas drejtuesit të Inspektoratit  Shtetërorë të punës në Elbasan, deri tani nuk ka asnjë denoncim nga punonjës apo sindikata për ndërprerje të kontratës.

Por të dhënat flasin ndryshe nga ky reagim i institucionit që në realitet përfaqëson shtetin përballë një kompanie private dhe që në themel të tij ka mbrojtjen e të drejtës se punëmarrësit.

Ndonëse Kurum, justifikohet me lejet vjetore të punëtorëve, ABC News ka mësuar dhe ka raportuar ditët e fundit se njëra nga uzinat ajo e çelikut është mbyllur ne datën 1 gusht ndërsa uzina e petëzimit në datën 19 gusht. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga leja e pretenduar nga kompania punonjësit nuk janë rikthyer në punë.

Një gjë është e qartë, Kurum do t’i shpëtojë përgjegjësisë dhe pasojave të skandalit të mbetjeve toksike, duke shantazhuar shtetin me punëtore të papunë që hidhen në rrugë.

Këtë të hënë një grup i posaçëm i përbërë nga prokurorë, oficerë të krimit ekonomik kanë zbarkuar në zyrat e kompanisë turke në Elbasan. Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar kontrolle në ambientet e kompanisë Kurum për të administruar çdo dokumentacion që gjendet aty që mund t`i vijnë në ndihmë hetimit të nisur për akuzën e kontrabandës me mallra te ndaluar.

Nga hetimet e deritanishme është identifikuar kompania “Sokolaj” ShPK si eksportuese e mbetjeve te rrezikshme drejt Tajlandës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj. Kjo e fundit ka dëshmuar më herët se I ka blere këto mallra si jo toksike nga “Kurum International” që rezulton edhe prodhuese e këtyre mbetjeve. Edhe pse Sokolaj ka treguar se sasia prej 200 tonësh që iu ble kompanisë Kurum është dioksid hekuri dhe jo mbetje toksike  prokuroria pritet të kryejë akt ekspertimin në laborator të monstrave që janë ngarkuar në kontejner.

Për rastin ka reaguar ministria e infrastrukturës dhe energjisë si dhe ministria e turizmit të cilat kanë deklaruar se nuk do të pranojnë rikthimin e mbetjeve pa përfunduar hetimet.

/abcnew.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!