Zbardhet dëshmia e oficerit të Rinasit: Çfarë njoftonte Albcontrol për pezullimin e fluturimeve

schedule14:37 - 9 Prill, 2021

schedule 14:37 - 9 Prill, 2021

Abcnews.al mëson detaje të reja rreth pezullimit të fluturimeve pas krizës që përfshiu aeroportin “Nënë Tereza” me largimin e kontrollorëve ajrorë nga puna. Gazetari Ermal Vija mëson se në dëshminë e dhënë në polici, oficeri i Rinasit Astrit Kurti ka zbardhur dy email-e që janë dërguar nga kompania Albcontrol, me anë të të cilave njoftohet pezullimi i flutrimeve.

Në raportin e shërbimit të orës 11.00, Kurti shpjegon se rreth orës 11:00 ka shkuar te zyrat e Load Control-it për të marrë informacione rreth avionit që vinte nga Athina për në Tiranë. Pikërisht aty, ai tregon se e kanë informuar punonjësit se nuk ka më fluturime, dhe se pasagjerët që kishin bërë check in do ktheheshin dhe nuk do fluturonin për shkak të pezullimit të fluturimeve.

Punonjësja e ODM Edona Pullazi, e cila ka deklaruar se prej 23 vitesh punon në aeroportin Nënë Tereza, ka deklaruar se kolegu i saj e kishte njoftuar se kishte ardhur një e-mail nga Albcontrol për pezullimin e fluturimeve ajrore në aeroportin Nënë Tereza. Email-i i parë, i orës 10:00 ka qenë për pezullimin e fluturimeve nga ora 09:30-12:00.

 

Por, më tej Pullazi tregon se ka marrë një e-mail tjetër po nga Albcontrol, i cili informonte për anulimin e njoftimit të orës 10.00.

Me email-in e dytë njoftohej se pezullimi i fluturimeve do të qëndronte në fuqi deri më 8 prill, ora 12.00. Sipas Edona Pullazit, që nga momenti që ka ardhur njoftimi me postë elektronike për anulimin e fluturimeve, nuk është kryer asnjë operim. sb/abcnews.al/