Forcat e policisë së komisariatit nr. 3 në kryeqytet kanë finalizuar operacionin e koduar “Precious”, ku dy persona, vetëm në 7 vjedhje dyshohet se kanë arritur që të marrin mbi 27 mijë euro dhe gati 88 milionë lekë të vjetra, si dhe një sasi të konsiderueshme sendesh të çmuara.
Siç duket edhe nga pamjet ne ekran, një pjesë e këtyre vjedhjeve janë kryer edhe gjatë ditës nga ana e Kastriot Xhixhës, 42 vjeç nga Fushë-Kruja dhe një shtetasi 33-vjeçar, identitetin e të cilit policia nuk e ka bërë të ditur pasi e ka shpallur në kërkim policor.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin vjedhje kasafortash e sendesh me vlerë në banesa duke hapur derën kryesore me një mekanizëm të përshtatuar për hapjen e çdo lloj dere pa shkaktuar dëmtim të bravës.
Xhixha dhe 33-vjeçari në kërkim rezultojnë të dy persona me precedentë penal për vjedhje. Policia e Tiranës njofton se 42-vjeçari Kastriot Xhixha është arrestuar në flagrancë ndërsa po kryente një vjedhje në Durrës./abcnews.al