ABC News ka zbardhur debate nga mbledhja e Këshillit Politik. Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka deklaruar në mbledhje se PS ka qëllim të rihapë edhe njëherë diskutimin për marrëveshjen e 5 qershorit, edhe pse kjo e fundit është miratuar me konsesusin e të gjitha palëve.
Ai është shprehur se PD i qëndron firmës së saj, duke theksuar se kërkesa e PS bie në kundërshtim me dakordësinë e arritur nga palët.
“Kuptuam nga diskutimi i Kryetarit të Partisë Socialiste që qëllimi është të rihapim edhe njëherë diskutimin për përmbajtjen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe të bëjnë ndryshime të saj. Drafti i marrëveshjes së 5 Qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6 mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht. Çështjet që ju shtruat bien në kundërshtim dhe ndryshojnë Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe prishin dakordësinë që ne kemi arritur aty. (nenet 19 dhe 36 të draftit të nënshtruar në zbatim të marrëveshjes së 5 Qershorit).
Gjithashtu, në mbledhjet e Këshillit Politik, por edhe gjatë diskutimeve në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-së, përfaqësuesi zyrtar i Partisë Socialiste nuk ka dhënë konsensusin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ka dakordësuar se kjo çështje nuk mund të diskutohet tani, por në një fazë më të vonshme.
Ky fakt konfirmohet edhe nga përmbajtja e marrëveshjes së 5 Qershorit, ku specifikohet në shënimin nr. 2 që “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”. Sipas pikës 12 të marrëveshjes së firmosur më 5 Qershor “12. Hyrja në fuqi”: “ky shënim është i zbatueshëm për zgjedhjet e rradhës”, mësohet të jetë shprehur Bardhi.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i ka quajtur dy çështje të domosdoshme pikat për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.