Zaev pyet Shqipërinë: Pse miqtë tanë lejuan arratisjen e Gruevskit?

schedule22:31 - 25 Nëntor, 2018

schedule 22:31 - 25 Nëntor, 2018

Kryeministri i Maqedonisë është shprehur i habitur me lejimin e arratisjes së Nikolla Gruevskit nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Zoran Zaev tha gjithashtu se nuk ka komunikuar me ish kryeministrin që prej muajit prill.

Kryeministri Zoran Zaev pret që opinioni shumë shpejt të informohet çfarë ka ndodhur në Maqedoni rreth arratisjes së Nikolla Gruevski. Por ai u shpreh i habitur dhe shtroi pyetjen se si katër vende mike të Maqedonisë lejuan arratisjen e ish kryeministrit.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë: “Jam informuar nga Ministria e Brendshme dhe e di deri më tani ku kanë mbërritur punët dhe besoj se shumë shpejt opinionit do t’i bëhen të ditura detajet çfarë ka ndodhur në Republikën e Maqedonisë, sepse e dimë çfarë ka ndodhur në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe në Hungari. Mbetet pyetja si miqtë tanë, katër vende, e kanë lejuar këtë dhe gjithsesi mbetet pyetja si tre vende anëtare të NATO-s, duke demonstruar sundim të së drejtës, e them këtë nën thonjëza, në kohën kur shoqëria e Maqedonisë, Parlamenti i Maqedonisë seriozisht është fokusuar për shkak të frymëzimit të madh me të drejtë për të qenë anëtare e BE-së dhe e NATO-s, pikërisht kjo ndodh. Por, për këtë janë hetimet, për këtë janë informacionet të cilat do të ndahen me opinionin”.

Ai nënvizoi më tej se është parë nga të gjithë dhe konfirmuar se me automjete diplomatike të Hungarisë dhe i shoqëruar nga diplomatë hungarezë, Gruevski ka mbërritur në Budapest. Zaev i referohet udhëtimit të ish kryeministrit nga Shqipëria për në Mal të Zi, Serbi e më pas në Hungari. Ndërkohë, Zaev tha më tej se nuk është e vërtetë që ka komunikuar me Nikolla Gruevskin një ditë para se ai të arratiset nga shteti. Ai thotë se kontakti i fundit me të ishte me 27 prill./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!