Zaev: Kërkesat e VMRO-DPMNE janë absolutisht të papranueshme

schedule15:19 - 4 Tetor, 2018

schedule 15:19 - 4 Tetor, 2018

Kryeministri i Maqedonisë i është përgjigjur opozitës duke thënë se kërkesat e tyre pas referendumit janë të papranueshme. Megjithatë Zaev nuk përjashtoi zgjidhjen e çështjes përmes zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i është përgjigjur pretendimeve të opozitës. Sipas tij, kërkesa e VMRO-DPMNE-së për qeveri teknike me mandat prej 100 ditësh sipas modelit të Përzhinos, për Prokuror publik dhe Komision anketues parlamentar për referendumin janë absolutisht të papranueshme. Zaev nga Ohri nënvizoi se nuk ka nevojë të diskutohet për këtë temë. Ai shton se mbetet në qëndrimin që ditët në vijim të bisedohet me deputetë në Kuvend.

Zoran Zaev: “Besojmë se do të kemi ndonjë rezultat deri në fund të javës apo fillim të javës tjetër. Diku rreth 10 Tetorit është një target që duhet t’ia paraqesim publikut se cilët janë hapat e ardhshëm. Shpresoj se do të kemi mundësi të kumtojmë se është siguruar dy të tretat e shumicës”.

Ai nënvizoi se Maqedonia nuk duhet të humbasë kohë të panevojshme. Megjithatë pranoi se mbetet e hapur mundësia që e gjithë kjo situatë të zgjidhet përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Por nga ana tjetër tha se dëshiron të përfundojë mandatin aktual para së gjithash për të mirën e ekonomisë së vendit, reformat dhe proceset rrjedhëse. I pyetur nëse do të flasë me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, kryeministri Zaev tha se nuk ka se çfarë të bisedojë me të./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!