Young-Harden, tani në historinë e NBA me këto “triple double”

schedule16:15 - 9 Janar, 2020

schedule 16:15 - 9 Janar, 2020

James Harden dhe Trae Young vendosën një rekord të ri në basketbollin amerikan. Ata u bënë të parët lojtarë që realizuan “triple-double” me 40 pikë, në një ndeshje të vetme.

Vetëm njëri doli fitues, por të dy hynë në histori. James Harden dhe Trae Young ishin basketbollistët e parë në të gjitha kohët që bënë diçka të tillë në NBA, që do të thotë secili arriti “triple double” me të paktën 40 pikë.

Kjo ndodhi në duelin Atlanta Hawks-Houston Rockets. Nga Harden pritej më shumë, për nivelet e tij të këtij sezoni, ndonëse edhe Young po bëhet gjithnjë e më i zoti. I mbiquajtur “E tashmja” e NBA-së, Harden shënoi 41 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 10 asiste.

Si gjithnjë, ai pati shumë gabime në gjuajtje, por aftësia e “Mjekrës” është që të provojë me intensitet të lartë deri në fund. Young, nga ana tjetër, cilësohet e ardhmja, pasi është vetëm 21 vjeç. Ndonëse shtatshkurtër, vetëm 1.88 metra, është tepër i zoti edhe në kampionatin më të fortë të botës.

Basketbollisti i Atlanta Hawks shënoi 42 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 10 asiste. Gjysma e parë e ndeshjes ishte thellësisht në favor të Houston, ndihmuar nga pikët e James Harden. Pas pushimit, niveli i lartë i Young dhe gabimet e Harden, i dhanë shpresë Atlanta Hawks, por miqtë fituan 122-115. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!