Vera po afron dhe zërat e merkatos sa vijnë e shtohen. Sergej Milinkovic-Savic po kalonte një formë të mrekullueshme përpara pezullimit të Serie A, njësoj si gjithë skuadra e Lazios. Mesfushori vazhdon të ketë adhurues të shumtë, por Claudio Lotito nuk heq dorë nga kërkesat e tij të larta.
Bardhekaltrit nuk kanë ndërmend të privohen nga shërbimet e lojtarit, por mund të ulen në bisedime nëse plotësohet një kusht: oferta e klubeve të interesuara qëndron mbi shumën e 100 milion eurove. “Sergej do të vendosë vetë për të ardhmen në fund të sezonit”, u shpreh Igli Tare disa ditë më parë.
Milinkovic-Savic pëlqehet shumë në Angli dhe tre klube të Premier League e kanë si një nga objektivat kryesorë të merkatos. Daily Mail konfirmon interesimin e Tottenham, Manchester United dhe Chelsea. Jose Mourinho e pëlqen prej vitesh.
Portugezi e donte që kur ishte trajner i “Djajve të Kuq”, dhe e shikon si pasuesin perfekt të Eriksen. E njëjta gjë për Ole Gunnard Solskjaer, që e cilëson si zëvendësuesin e Pogba, teksa edhe Frank Lampard e admiron shumë yllin e skuadrës së Simone Inzaghit. /abcnews.al