Ylber Ramadani kërkon falje për goditjen e fanelës me këmbë

schedule14:10 - 13 Qershor, 2019

schedule 14:10 - 13 Qershor, 2019

Futbollisti i kombëtares Ylber Ramadani, kërkon ndjesë për goditjen e fanelës me këmbë pas shënimit të golit. Ai theksoi se gabimi u bë për shkak të emocioneve.

Në atë moment mund të ndihej si më i lumturi në botë.

Ylber Ramadani shënoi golin e dytë duke e bërë plotësisht të sigurt fitoren e Shqipërisë ndaj Moldavisë në eleminatoret e Europianit, por pikërisht ndërsa festonte i ndodhi diçka e papritur.

Ai hoqi fanelën dhe e goditi papritur me këmbë duke e hedhur tej, diçka që nuk mbeti pa u komentuar nga tifozët.

Mes urimeve dhe lumturisë në rrjetet sociale, pati edhe kritika për veprimin e mesfushorit.

Gjithsesi, vetë Ramadani nuk ngurroi të reagonte siç i takonte.

Pasi u qetësua në përfundim të ndeshjes, Ramadani kërkoi falje në rrjetet sociale, saktësisht në faqen e tij në Instagram.

Ai nuk ngurroi ta quante veprimin e tij si të papranueshëm, veçse të kryer nën ndikimin e emocioneve të forta pas shënimit të golit, dhe duke mos pasur asnjë qëllim të keq.

Mesfushori 23-vjeçar, lindur në Ferizaj të Kosovës, shënoi golin e tij të parë për kombëtaren, në ndeshjen e pestë të luajtur me bluzën e saj.

Ai vlerësohej edhe nga ish-trajneri Panuçi, ndërsa tekniku i sotëm Edi Reja, e cilëson si një nga lojtarët më të rëndësishëm. /ABc news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!