Yield-et e bonove 12 mujore dhe 3 mujore në rritje të lehtë

schedule07:19 - 19 Mars, 2021

schedule 07:19 - 19 Mars, 2021

Yield-et e bonove të thesarit në tregun primar shënuan një rritje të lehtë në ankandet e zhvilluara këtë javë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar 2.17%, nga 2.10% që kishte qenë yield-i në ankandin e mëparshëm. Interesi i tregut për këto instrumente ngelet i lartë dhe përkundrejt 8.8 miliardë lekësh të shpallura për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 11.65 miliardë lekëve.

Rritje e lehtë u regjistrua edhe në yield-et e bonove me maturim 3-mujori që arritën nivelin 1.37%, nga 1.29% që kishin qenë në ankandin e mëparshëm. Edhe për këto instrumente kërkesave rezultoi mjaft e lartë, në vlerën e 3.1 miliardë lekëve, dy herë më shumë se shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë kanë shfaqur një korrigjim të lehtë në rritje, por me luahtshmëri relativisht të ulët. Rritja e lehtë e yield-eve ishte e pritshme, për shkak të një rritje të kërkesës së qeveria për hua në tregun e brendshëm krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm. Bëhet fjalë për një normalizim të huamarrjes së brendshme, pasi në gjysmën e dytë të vitit 2020 një pjesë e konsiderueshme e kësaj huamarrjeje u zëvendësua me eurobondin e muajit qershor.

Raportet mes kërkesës dhe ofertës gjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar se tregu i brendshëm financiar i është përgjigjur mirë rikthimit të kërkesës së qeverisë për financime në nivelet e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Sektori bankar që është edhe financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare ngelet mjaft likuid, i mbështetur nga një rritje e qëndrueshme e depozitave, por edhe nga politika e furnizimit të pakufizuar me likuiditet afatshkurtër nga Banka e Shqipërisë. Përveç bankave, bonot dhe obligacionet ngelen gjithashtu alterntiva kryesore e investimeve financiare për individët dhe investitorët institucionalë të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, gjendja likuide e sektorit financiar dhe ulja e lehtë e deficitit buxhetor e parashikuar për këtë vit janë të gjithë faktorë që i mbajnë të ulëta presionet për rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë në afatin e shkurtër. Qëndrueshmëria e yield-eve të titujve qeverisë është një hallkë e rëndësishme edhe në ecurinë e përgjithshme të interesave në tregun financiar, duke qenë se ato janë edhe instrumente benchmark në përaktimine interesave të haudhënies afatgjatë në lekë për sektorin privat të ekonomisë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!