Xi Jinping dhe Lukashenko mirëpresin ‘forcimin e marrëdhënieve dypalëshe’

schedule09:38 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 09:38 - 4 Dhjetor, 2023

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij bjellorus Alexander Lukashenko mirëpritën sot forcimin e marrëdhënieve të tyre dypalëshe, me rastin e vizitës së dytë të Lukashenkos në Kinë këtë vit.

Presidenti bjellorus, një aleat i vendosur i Rusisë dhe i “izoluar” nga shumica e vendeve perëndimore, mbërriti në Kinë të dielën në një vizitë që pritet të zgjasë dy ditë.

Ky është udhëtimi i tij i dytë në Kinë këtë vit, pas vizitës që bëri në vend në muajin shkurt. Në të njëjtën kohë, Rusia po forcon marrëdhëniet e saj me gjigantin aziatik.

“Bjellorusia ishte, është dhe do të jetë një partner i besueshëm për Kinën. Ne vendosëm shumë kohë më parë se do të bashkëpunojmë  dhe se do të jemi miq me Kinën,” tha ai.

“Kjo miqësi ka zgjatur më shumë se 30 vjet dhe nuk ka devijuar asnjëherë nga ky kurs ”, theksoi ai.

Presidenti kinez, nga ana e tij, tha se besimi i përbashkët politik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar  midis dy vendeve ishin forcuar pas vizitës së Lukashenkos në shkurt.

Kina mbështet Bjellorusinë dhe kundërshton ndërhyrjen e fuqive të huaja në punët e brendshme të vendit, vuri në dukje Xi. Ai siguroi se Pekini dëshiron të forcojë bashkëpunimin e tij strategjik me Minskun dhe të promovojë bashkëpunimin pragmatik.

Pekini nuk e ka dënuar publikisht pushtimin rus të Ukrainës, pavarësisht presionit nga SHBA dhe vendeve të tjera perëndimore.

Bjellorusia është shumë e varur nga mbështetja politike dhe ekonomike nga Rusia, ndërsa territori i saj përdoret shpesh për manovra ruse kundër Ukrainës, pas pushtimit rus të vendit në shkurt 2022.

/abcnews.al