Pasi ka eksploruar Europën, i riu kolumbian e ka ndalur udhëtimin e tij në Tiranë. Prej një muaji si bën art në rrugët e kryeqytetit si xhongler i shoqëruar nga mikja e vecantë, qenushja e tij.
Të gjithë ata që u ka rënë rruga përqark parkut “Rinia”, e kanë para Andres të performojë xhonglime në rrugë. Sapo drita e semaforit bëhet e kuqe, dhe makinat ndalen, ai dhuron art.
Andres është nga Kolumbia, dhe në Tiranë ka ardhur një muaj më parë teksa eksploronte Europën.
“Këtu në Shqipëri kam ardhur para 1 muaji dhe po mendoj të qendroj edhe 2 muaj të tjerë. Më ka ecur mirë. Njerëzit e kanë mbështetur artin tim dhe më kanë ndihmuar të mbuloj shpenzimet. Unë kam dy vite që udhëtoj, dhe ky është stili im i jetesës. Për të udhëtuar duhen para dhe kështu mësova të bëj art dhe ta shikoja këtë si një mënyrë jetese. Dhe këtu në Shqipëri arti që bëj unë ecën mirë”.
Në udhëtimet e tij, Andres e shoqeron një mikeshë e veçantë. Bëhet fjalë për qenushen e tij Aira.
“Për mua Aira ka qenë një bekim. E kam gjetur në Peru para 6 vitesh, e kam marr që kur ishte 3 muajshe. Andej në Peru kjo rracë qeni konsiderohet si e dërguar nga Perënditë. Thuhet se nëse ti kujdesesh për këta qenush në jetë, ata do të shoqerojnë në vdekje.
Unë nuk i kam mësuar asaj asgjë nga ato që bën. Ishte ajo që më tregoi se dinte ti bënte. Për të kënduar, ajo nisi vetë. Sapo dëgjon një muzikë që i pëlqen ajo e këndon. Pastaj unë e shoqeroj. Kur nisa të bëj xhonglime ajo filloi të më shoqeronte”.
Historia e Andres të lë pa fjalë. Në Kolumbi ai ishte një djalë i shkolluar i cili kishte punë dhe të ardhura shumë të mira. Por dëshira për të eksploruar botën, ishte më e madhe se një jetesë e sigurt.
“Në Kolumbi unë studioja për siguri industriale, dhe nisa punë në një minierë mes maleve. Çdo gjë po më shkonte mirë, fitoja shumë para, nuk kisha detyrime. Por teksa punoja në atë kompani fillova të kuptoj që po ndihmoja në shkatërrimin e natyrës, dhe fillova të ndihesha fajtor. Një ditë pash një ëndërr sikur një miku im më ftoi të udhëtonim, dhe kur u zgjova gjeta një mesazh nga ky miku im që më thoshte të dilja nga shtëpia. Kështu përjetova një Deja Vu dhe aty vendosa të hiqja dorë nga çdo gjë dhe të udhëtoja. Familja mendoi mos isha çmendur. Nuk arrinin të më kuptonin. Më kërkonin vazhdimisht të kthehesha në shtëpi, madje më ofruan ndihmë që të hapja një kompani të timen, por nuk pranova. Tani ata e kanë kuptuar, dhe madje më pyesin për udhëtimet e mia, më kërkojnë ti dërgoj fotografi.”
Andres ka udhëtuar gjithë Amerikën latine, dhe synimi i tij është që të udhëtojë në të gjithë botën. Aktualisht ai është duke eksploruar Europën. Destinacioni i radhës do të jetë Greqia, ku ai synon të kalojë muajt e verës, me shpresë se do të bëjë aq para sa të ketë mundësi të blej një motor, në mënyrë që ta ketë më të thjeshtë udhëtimin bashkë me qenushen e tij./abcnews.al