Policia e Tiranës ka arrestuar një 27-vjeçar, të quajtur Klajdi Lula, i cili shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të Tiranës.
Blutë bëjnë me dije se pas informacionit të marrë, policia organizoi një operacion për kapjen e të riut në zonën e bulevardit “Bajram Curri” duke u gjetur në trup dhe makinë një numër të madh dozash kokaine si edhe një shumë të konsiderueshme parash.
“Në bulevardin “Bajram Curri”, Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin K. L., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde, e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje dhe shuma parash, të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës”, njofton policia. /abcnews.al