Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa këtë të premte i ftuar në ABC Live ka dhënë detaje në lidhje me rritjen e çmimeve dhe rolin që duhet të ketë autoriteti i Konkurrencës.
Xhepa në fjalën e tij është shprehur se rritja e çmimeve është një fakt global, por ajo që duhet të kishte kontroll më shumë në vendin tonë sipas tij është që rritja e bukës të ishte në vëmendje të Autoritetit të Konkurrencës.
“Duke parë dhe qeveritë e zhvilluara në lidhje me analizën që i bëjnë për rritjen e çmimeve që është një fakt shqetësues në ekonominë globale. Kemi të bëjmë me disa bllokime serioze që po ndodh në rang global jo vetëm në atë ushqimor.
Duke marrë shkas nga zhvillimi i rritjes së çmimeve globale duke ditur faktin se Shqipëria një pjesë të madhe të drithërave nga jashtë është fenomen që ndodh. Por Autoriteti i Konkurrencës duhet që ti japë besueshmëri në lidhje me vendimet që merr.
Fenomeni i kapjes së shtetit tek ne është i përhershëm, fenomeni i përqendrimit të tregut është një ndër sfidat më serioze për ekonominë shqiptare, por kur bëhet fjalë për bukën e fëmijëve duhet më shumë vëmendje dhe parlamenti duhet që të jetë më kërkues në këtë drejtim”, ka thënë Xhepa.
Ndërkohë në lidhje me publikimin e raportit të fundit ku thuhet se ekonomia e vendit është rritur me 17.9%, Xhepa ka deklaruar se një rritje e tillë nuk është reale.
Eksperti në intervistën e tij për gazetaren Juli Xhokaxhi ka theksuar faktin se krahasimi për rritjen e ekonomisë duhej të bëhej me një vit më parë dhe se realisht i bie kemi vetëm 2 % rritje, pasi pjesa tjetër është mbushja e boshllëkut të krijuar nga pandemia.
“Kur trajtojmë rritjen duhet të ndalemi te cilësia më shumë. Kur krahasojmë një tremujor duhet që të krahasojmë me atë paraardhës por ai i 2020 dihet që ishte një ndër rënie të shkaktuar, por raporti i tremujorit është thjesht mbushje dhe rritja në terma real është vetëm 2 %. Kjo është një rritje që mbyll gropat e krijuara nga pandemia. Ndërsa po të shikojmë sektorin e bujqësisë kemi rënie dhe të ardhurat nuk pësojnë asnjë ndryshim, ndërtimi është një tjetër kategori që e shton pasurinë por që duket se nuk ka aq shumë vlerë në rritje.
Indikatori kryesor që përcakton performancën e një ekonomie janë të ardhurat reale, sa më i suksesshëm bëhet një biznes, të tjerët janë indikatorë inputi. Që të prodhohet një gjë e mirë është që të ardhurat e qytetarëve të jenë rritur. Unë gjykoj që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nuk duhet q të harrojmë se familjet që janë prekur nga Covid kosto ka qenë shumë e madhe dhe mbështetja ka qenë e papërfillshme. Fakti që pagat tek ne janë të ulëta dhe drejtoria e tatimeve bëjnë me dije se kemi paga minimale me vetëm 30 mijë lekë të reja”, ka thënë ndër të tjera eksperti i ekonomisë. /abcnews.al