Xhamajka përshpejton planet për t’u ndarë nga Mbretëria e Bashkuar

schedule15:37 - 4 Maj, 2023

schedule 15:37 - 4 Maj, 2023

Një ministre e qeverisë xhamajkane tha se kurorëzimi i mbretit të Britanisë, Charles III ka përshpejtuar planet e vendit të saj për t’u bërë republikë, sipas një interviste të Sky News të botuar të enjten.

Ish-kolonia britanike ka qenë e pavarur që nga viti 1962, por njëjtë si 13 shtete të tjera të Komonuelthit jashtë Mbretërisë së Bashkuar, ka mbajtur monarkun britanik si kreun e shtetit.

Mbreti Charles III, i cili u ngjit në fron pasi nëna e tij, Mbretëresha Elizabeth II vdiq vitin e kaluar, do të kurorëzohet në Westminster Abbey të Londrës të shtunën.

“Ka ardhur koha. Xhamajka në duart e Xhamajkës,” tha për Sky News, Marlene Malahoo Forte, ministre e Xhamajkës për çështje ligjore dhe kushtetuese.

Ajo tha se kombi i Karaibeve mund të mbajë një referendum vitin e ardhshëm.

Malahoo Forte tha se Xhamajka ka një marrëdhënie “komplekse” me Britaninë dhe të bëhesh republikë do të thotë “t’i thuash lamtumirë një forme qeverisjeje që është e lidhur me një të kaluar të dhimbshme të kolonializmit dhe tregtisë transatlantike të skllevërve”.

Që nga ngjitja në fron, Charles është përpjekur të vendosë Komonuelthin prej 56 vendesh, të cilin ai drejton, në zemër të mbretërimit të tij.

Por ka pikëpyetje nëse ai mund të frymëzojë të njëjtin respekt dhe përkushtim si nëna e tij, e cila sundoi për 70 vjet deri në vdekjen e saj.

Gjatë një turneu në Karaibe nga djali i madh i Charles, Princi William dhe gruaja e tij Catherine në mars të vitit të kaluar, kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, i tha trashëgimtarit të fronit britanik se vendi i tij “po shkonte përpara”.

Ishulli i Karaibeve i Barbados ndërpreu lidhjet me monarkinë britanike dhe u bë republikë në vitin 2021.

Pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, kryeministri i Antigua dhe Barbuda, gjithashtu një vend i pavarur i Komonuelthit, tha se synon të ketë një referendum brenda tre viteve./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!