Reagimi ndaj ofendimeve të tifozëve bëri që Granit Xhaka të humbiste shiritin e kapitenit tek Arsenali. Jo vetëm kaq pasi mesfushori shqiptar nuk është aktivizuar asnjë minutë nga ai barazim 2-2 kundër Crystal Palace. Xhaka i është rikthyer edhe njëherë problemeve me tifozët në një prononcim për Blick. Kritikat i pranon, por ofendimet jo.
“Kur pashë emrin tim në tabelën e zëvendësimeve dhe dëgjova reagimin e tifozëve, mbeta i befasuar. U ndjeva shumë keq. Më plagosën ato fjalë që dëgjova. Tifozët kanë qenë pjesë e rëndësishme e jetës time, që në momentin që kam filluar të luaj futboll. Gjithmonë.
Kam respekt të madh për ta, por kjo duhet të jetë reciproke. I pranoj kritikat kur luajmë keq, por është tjetër gjë të ofendosh kapitenin tënd. Kjo e fundit nuk është diçka e mirë, sidomos mënyra se si u ofendova dhe u sulmova. Kjo është edhe në dëm të skuadrës, krijon pakënaqësi dhe dëmton vetë klubin“, përfundon Granit Xhaka. /abcnews.al