Xhaçka takim me ministrin gjerman: Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë

schedule10:47 - 28 Maj, 2021

schedule 10:47 - 28 Maj, 2021

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka është takuar me homologun e saj gjerman Michael Roth. Gjatë takimit Xhaçka është shprehur se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë duke theksuar se gjërat në vendin tonë po lëvizin në drejtimin e duhur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë. Gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur, edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nëse shikoni se sa punë është bërë që nga vendimi i Këshillit të Marsit 2020, pavarësisht nga fakti se 15 muajt e fundit kanë qenë ndër më të vështirat në historinë tonë, ju e kuptoni se sa të përkushtuar dhe të përgjegjshëm jemi ndaj procesit të integrimit”, tha ministrja Xhaçka.

Ministri Roth ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Gjermanisë në mbështetje të mbajtjes së Konferencave të para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda presidencës portugeze të BE-së.

Ai konfirmoi se Gjermania së bashku me vende të tjera partnere të BE-së janë angazhuar fuqimisht për të sheshuar sa më shpejt të gjitha mosmarrëveshjet ekzistuese midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për të arritur objektivin e caktuar. /mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!