Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ndodhet sot në Prishtinë për t’i dhënë Kosovës përkrahje, ndër të tjera, për dialogun e saj me Serbinë.
Xhaçka, që u prit sot nga homologia e saj Donika Gërvalla, është shprehur se Shqipëria e mbështet Kosovën për një marrëveshje përfundimtare, ku Serbia e njeh atë dhe Kosova anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.
“Ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën. Në këtë kontekst, është mbështetja ndaj dialogut dhe arritja e marrëveshjes së detyrueshme që sjell njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Është domosdoshmëri për mbarë rajonin tonë”, tha Xhaçka.
Ajo e ka përgëzuar qeverinë për marrëveshjen e arritur për targat ilegale, që i lëshon Serbia për rajone të Kosovës.
“Dua ta përgëzoj Qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e para disa ditëve, që ndihmon jo vetëm në qetësim të situatës, por edhe në nisjen e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Shqipëria e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Kosovës në çdo hap të këtij procesi, sepse ky është interes kombëtar. I mirëpresim synimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat evropiane”, ka thënë Xhaçka. /abcnews.al/