Xabi Alonso është “Real”/ Trajneri 43 vjeçar prezantohet zyrtarisht në klubin madrilen

schedule12:41 - 27 Maj, 2025

schedule 12:41 - 27 Maj, 2025

Atmosfera ishte e shkëlqyer. Tek Reali gjithmonë vijnë emra të mëdhenj, dhe prezantimi i Xabi Alonsos si trajneri i ri i skuadrës pati thuajse të njëjtin entuziazëm si me Zinedin Zidanin apo Karlo Ançelotin.

Tekniku 43-vjeçar doli në krah të presidentit Florentino Perez në sallën e konferencave në “Santiago Bernabeu” mes brohoritjeve, dhe shpresa është e madhe që triumfet nuk do të vonojnë.

Ish-lojtari I Realit, Liverpulit e Bajernit, si dhe I kombëtares së Spanjës, ka si garanci suksesin e madh tek Leverkusen, ku fitoi Bundesligën pa asnjë humbje, fitoi Kupën e Gjermanisë dhe arriti finalen e Ligës së Europës.

Në prezantim ai foli thjesht dhe me fjalë zemre.

“Dua që të jap maksimumin në këtë detyrë, dhe që të përmirësohemi gjithmonë, në çdo drejtim të lojës. Dua që të jemi si një familje, që nga dita e parë që unë jam këtu. Ky është raporti që dua të kem me klubin. Dua që njerëzve t’u pëlqejë loja jonë. Skuadra është shumë e mirë, dhe është detyra ime që të punoj sa më fort me lojtarët. Nuk kam kërkesa të veçanta, por vetëm dëshirë të madhe për të punuar, dhe për të ruajtur identitetin e klubit”.

Presidenti Perez, në fjalën e tij, I kujtoi të gjithëve se çfarë përfaqëson Reali, dhe deklaroi se ardhja e Shabi Alonso është një etapë e re, se trajneri I ri është ndër më të mirët në botë, dhe se përfaqëson të gjitha vlerat e klubit madrilen.

Kontrata është 3-vjeçare dhe rroga pritet të jetë nga 7 deri në 9 milionë euro në sezon.

Detyra e parë e baskut do të jetë të drejtojë skuadrën në Kupën e Botës të Klubeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ndeshjen e parë në 18 qershor kundër Al Hilalit të Arabisë Saudite.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!