Gazeta “Wall Street Journal” shkruan se banda haitiane që mori përgjegjësinë për rrëmbimin e anëtarëve të një grupi misionarësh me qendër në Shtetet e Bashkuara po kërkon 17 milionë dollarë për lirimin e tyre.
Sipas gazetës, Ministri i Drejtësisë së Haitit, Liszt Quitel, thotë se banda, e cila e quan veten “400 Mawozo”, ka kërkuar një shpërblim prej 1 milion dollarësh për secilin nga 16 amerikanët dhe një kanadez të rrëmbyer të shtunën e kaluar jashtë kryeqytetit Port-au-Prince, ndërsa ishin me mision për një organizatë të krishterë me qendër në Ohajo.
Gazeta citon zotin Quitel të ketë thënë se grupi përfshin pesë fëmijë, të moshës nga tetë muaj deri në 15 vjeç. Ai tha se pengjet po mbahen në një shtëpi në një periferi të kryeqytetit Port-au-Prince.
Shtëpia e Bardhë tha të hënën se FBI-ja po punon për të gjetur misionarët dhe për t’i liruar ata. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Presidenti Biden njoftohet rregullisht mbi përpjekjet e vazhdueshme të FBI-së dhe Departamentit të Shtetit.
Departamenti i Shtetit tha të hënën se kishte në terren një ekip të vogël që po punon nga afër me autoritetet haitiane për të gjetur misionarët./VOA