Mike Tyson dëshiron të kthehet në ring. Shumë po përflitet për një duel mes tij dhe Tyson Fury, i cili është 22 vite më i ri. “Jam shumë i emocionuar, Iron Mike është një ikonë e boksit“, është shprehur Mauricio Sulaiman, presidenti i WBC (Këshilli Botëror i Boksit).
Mendimet janë të ndryshme, Tyson mbush 54 vjeç në fundin e qershorit dhe rrezikon shumë nga goditjet që do të pësojë, edhe pse pritet të jetë një përballje me pak raunde. Dillian Whyte flet troç në lidhje me këtë duel dhe paralajmëron më të keqen për TalkSport.
“Marrëzi e madhe, Mike Tyson mund të vdesë në ring. Po flasim për një betejë mes një 31-vjeçari dhe një 53-vjeçari. Nuk ka kuptim dhe asnjë farë sensi, nuk duhet inkurajuar zhvillimi i një ndeshje të tillë“, deklaron boksieri i njohur anglez, i cili vazhdon me analizën e tij.
“Çfarë do të ndodhte nëse vdes në ring? Kemi hedhur shumë baltë mbi këtë sport, boll më. Në moshën që është Tyson, truri të thotë diçka dhe trupi bën diçka tjetër. Mike, je një legjendë, një legjendë e gjallë, vijo të qëndrosh i tillë“, përfundon Whyte. /abcnews.al