“Wemby”, gjigandi i NBA/ Basketbollisti francez shkëlqen në parket me San Antonio Spurs

schedule12:56 - 1 Nëntor, 2024

schedule 12:56 - 1 Nëntor, 2024

Në sezonin e parë në NBA shpërbleu të gjitha pritshmëritë, ndërsa tani po kërkon konfirmimin. Victor Wembanyama është në rrugën e duhur, duke bërë një tjetër paraqitje të shkëlqyer në parketet e basketbollit amerikan.

Basketbollisti francez ndihmoi San Antonio Spurs në fitoren 88-106 kundër Jutah Xhez. Shifrat personale të regjistruara në këtë sfidë janë me të vërtetë mbresëlënëse.

Ai shënoi 25 pikë, ndërsa shfrytëzoi në mënyrën më të mirë 2 metra e 24 centimetra të gjatësisë së tij, duke qenë I pakapshëm për rivalët poshtë koshave.

20-vjeçari kapi 14 topa në tabelë si dhe “vodhi” 5 topa në aksionet sulmuese të kundërshtarëve.

Mbrëmja e madhe e Wembanyama u plotësua gjithashtu edhe me 7 asist për shokët e skuadrës.

Të gjitha këto bënë që francezi të ishte ylli I vërtetë i mbrëmjes së fundit në NBA, duke lënë pas emra të tjerë, tashmë të afirmuar të basketbollit amerikan si Janis Antentokoumpo, Luka Donçiç apo Devin Buker që gjithashtu zbritën në parket me skuadrat e tyre.

Për dy yjet e tjerë të basketbollit amerikan nuk ishte aspak një mbrëmje e mirë. Greku u mund bashkë me Miluokin, pavarësisht se mbylli ndeshjen kundër Memfis me dy shifra dopio, 37 pikë dhe 11 topa në tabelë.

I mundur doli nga fusha edhe Donçiç. Pavarësisht 29 pikëve të tij, Dallas u mund në shtëpi nga Hjuston. I ndryshëm diskutimi për Devin Buker. Ai shënoi 40 pikë dhe dha 8 asist në fitoren e madhe të Feniks në transfertën kundër Los Anxheles Klipers.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!