Shefit të mercenarëve rus, Yevgeny Prigozhin, i është thënë se grupi i tij Wagner që përbëhet nga mercenarë nuk do të luftojë më në Ukrainë pasi ai refuzoi të nënshkruante kontrata për të vënë mercenarët e tij nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes, tha një ligjvënës i lartë të enjten.
Gjeneralkoloneli, Andrei Kartapolov, një ligjvënës me ndikim që kryeson komitetin e mbrojtjes të dhomës së ulët të parlamentit rus, tha se shkas për kryengritjen e së shtunës ishte mosmarrëveshja e Prigozhinit me një kërkesë nga ministria e mbrojtjes që grupi i tij mercenar të nënshkruante kontrata.
“Siç e dini, disa ditë para përpjekjes për kryengritje, ministria e mbrojtjes tha se të gjitha formacionet që kryejnë detyra luftarake duhet të nënshkruajnë kontrata me ministrinë e mbrojtjes”, deklaroi Kartapolov.
“Të gjithë filluan ta zbatojnë këtë vendim… të gjithë përveç zotit Prigozhinit”, tha ai.
Prigozhin tha më 11 qershor se luftëtarët e tij nuk do të nënshkruajnë asnjë kontratë me Ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, duke shtuar se ai nuk ishte në gjendje të menaxhonte njësitë ushtarake, raporton Reuters.
Kartapolov tha se pas refuzimit të Prigozhinit për të nënshkruar kontratat, atij i ishte thënë se mercenarët e tij nuk do të luftojnë më në Ukrainë dhe kështu nuk do të marrin para nga shteti.
Si rezultat, ligjvënësi tha se Prigozhin ka kryer tradhti për shkak të “ambicieve të tepruara”, parave dhe asaj që ai e quajti “gjendje entuziazmi”.