Vullkani në La Palma shkakton dëme prej 400 milion eurosh

schedule14:07 - 30 Shtator, 2021

schedule 14:07 - 30 Shtator, 2021

Dëmet e aktivizimit të vullkanit në ishullin spanjoll të La Palma janë marramendëse. Deri tani flitet për 400 milion euro. Pa përmendur dëmet e shkaktuara në ambient dhe det. Llava e vullkanit ka prekur oqeanin, ndërsa disa fshatra bregdetare janë evakuuar. Pamjet më të fundit që vijnë nga vullkani Cumbre Vieja, i aktivizuar që nga 19 shtatori, tregojnë kolona të mëdha tymi.

Shqetësimi më i madh i shkencëtarëve tashmë është ajo lloj piramide me hi që po përhapet në oqean me pasoja të paparashikueshme, sipas vullkanologëve. Ata paralajmërojnë për krijimin e reve toksike, reshje acidi dhe gaz të dëmshëm.

Masa e llavës ka krijuar një depozitë të gjerë rreth 500 metra duke ndryshuar dhe ngjyrën e ujit. Ajri në zonën përreth vullkanit është shumë i rrezikshëm por autoritetet pretendojnë se përgjatë zonës bregdetare nuk ka gaz toksik.

Atyre që kanë qëndruar në zonë, pavarësisht apeleve për t’u larguar, iu është kërkuar të mos dalin nga shtëpitë. Si dhe të mos hapin as dyer e dritare. Llava ka shkatërruar më shumë se 470 hektar terren dhe 656 ndërtesa. Qeveria spanjolle ka ndarë pakon e parë të ndihmave prej 5 milion euro, në momentin që ka persona që kanë humbur çdo gjë. Ndërkohë shkencëtarët nuk janë ende në gjendje të parashikojnë se kur do të ndalojë aktiviteti vullkanik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!