Vuçiç takohet të martën me Putin për Kosovën

schedule20:21 - 1 Tetor, 2018

schedule 20:21 - 1 Tetor, 2018

Presidenti serb do të zhvillojë një sërë takimesh për çështjen e Kosovës. Më i rëndësishmi është ai që Aleksandar Vuçiç do të ketë në Moskë me homologun Putin, ndërsa disa ditë më vonë do të presë në Beograd sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ditët e ardhshme do të jenë të ngjeshura me takime për presidentin serb Aleksandar Vuçiç, që në fokus do të kenë çështjen e Kosovës. E marta do të jetë pa dyshim dita me pritshmëritë më të larta për presidentin serb, i cili do të takojë në selinë e Kremlinit homologun rus Vladimir Putin. I përballur me mediat kur ka zbritur të hënën në aeroportin e Moskës, Vuçiç ka deklaruar se ka ardhur për t’i kërkuar ndihmë konkrete presidentit Putin në lidhje me Kosovën. “Kam ardhur të kërkoj ndihmë konkrete dhe besoj se presidenti Putin do të na ndihmojë, sikurse ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë Vuçiç.

Ndonëse nuk e ka cituar vizitën e papritur të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit, Vuçiç ka theksuar se rrethanat e verifikuara së fundmi duhen trajtuar seriozisht. “Ka shumë tension, ndaj është e rëndësishme të flasim për të, për eventet individuale që i kanë paraprirë takimit tonë dhe për çdo gjë që mund të ndodhë në të ardhmen”, ka thënë Vuçiç. Ndërkohë, me t’u kthyer në Beograd, presidentit serb do t’i duhet të presë në një takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Analistët serbë deklarojnë se vizita e Thaçit në Ujman nuk do të jetë temë e bisedimeve, pasi vizita është planifikuar kohë më parë, por megjithatë, provokimi i Prishtinës, siç e kanë quajtur ata, do të ishte mirë të diskutohej./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!