Pas skandalit të spiunazhit dhe shitjes së minave tokësore serbe për Ukrainën, Presidenti serb Vuçiç dhe ai rus Putin takohen sot në Sochi. Dy presidentët do të zhvillojnë fillimisht një takim kokë më kokë dhe pastaj do të ketë një drekë pune me delegacionet respektive. Temat kryesore të cilat pritet të diskutohen janë bashkëpunimi bilateral mes dy shteteve, gjendja aktuale në Kosovë dhe rruga drejt një zgjidhjeje përfundimtare. Ndërkohë, mediat në Rusi kanë komentuar se janë dy skandale në Serbi që hedhin hije mbi vizitën e Vuçiçit në Rusi.
“Vizita e ardhshme e Vuçiçit dhe bisedimet e tij në Sochi me Putin kanë një rëndësi thelbësore,” thotë Komersant. Media ruse shkruan se pas dy skandaleve të mëdha që ndikojnë në marrëdhëniet midis dy vendeve, spiunazhit dhe skandalit të shitjes së minave tokësore serbe për Ukrainën, pyetja kryesore në Moskë mbetet: A është Serbia gati të jetë aleati kryesor i Moskës në rajon apo do të vazhdojë të balancojë midis Rusisë dhe Perëndimit. Komersant citon burime pranë autoriteteve në Beograd, sipas të cilit mendohet të kenë thënë se Serbia do të vazhdojë të përpiqet të ruajë një ekuilibër në marrëdhëniet me Rusinë dhe Perëndimin, duke shmangur animin nga njëra palë. Ndërkohë, RIA Novosti raportoi se pas një seri skandalesh në Serbi, ku u përfshi Moska, marrëdhëniet midis dy vendeve janë në provë./abcnews.al