“Vuçiç si Sharon Stone në “Basic Instict”, presidenti serb: Sulmet e Moskës, primitive dhe vulgare!

schedule20:22 - 6 Shtator, 2020

schedule 20:22 - 6 Shtator, 2020

Pas deklaratave të zëdhënëses së ministrisë së jashtme të Rusisë, e cila e krahasoi Vuçiç-in, me aktoren Sharon Stone, në filmin “Basic Instict”, ka reaguar vetë presidenti serb.

Aleksandër Vuçiç i quajti si “primitive dhe vulgare” sulmet e Moskës ndaj tij.

Serbia është aleati më i afërt i Moskës në rajonin e Ballkanit, por Presidenti Aleksandër Vuçiç ka turbulluar ujërat prej kohësh më Rusinë, duke kërkuar lidhje më të mira me Perëndimin.

Vuçiç bëri edhe një tjetër hap drejt perëndimit javën e kaluar, duke nënshkruar një marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën, të cilën Beogradi dhe Moska nuk e njohin.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në praninë e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, postoi një fotografi të Vuçiç nga kjo ceremoni, e cila shoqërohej me fotografinë e Stone në filmin e vitit 1992 “Basic Instinct”.

Sipas saj presidenti serb, dukej fiks si në rolin e Stone, teksa ekspozonte veten, me rolin e saj.

 “Nëse jeni të ftuar në Shtëpinë e Bardhë, por karrigia juaj qëndron përballë ftuesit, sikur jeni duke u marrë pyetje, duhet të uleni si në figurën numër. 2 (Sharon Stone në “Basic Instict”), kushdo që jeni”, shkroi Zakharova.

Ndërkohë gjatë komenteve televizive ditën e sotme në Bruksel, Vuçiç u shpreh:

“Maria Zakharova flet kryesisht për veten e saj, dhe primitivizmi dhe vulgariteti që ajo tregoi, flet për atë vetë, dhe për ata që e kanë vendosur atje.”

Sakaq Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin në një deklaratë u shpreh se, armiqtë e Serbisë dhe Rusisë, janë të kënaqur me deklaratën e Zakharova.

Në fakt Zakharova përditësoi postimin e saj duke kërkuar ndjesë, dhe duke thënë se komentet e saj në lidhje me këtë çështje, ishin keqkuptuar.

Mediat në Beograd dhe Moskë ditën e sotme kanë raportuar se Vuçiç ka patur një telefonatë me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, por detajet e bisedës mes tyre nuk janë bërë të ditura.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!