Presidenti i Serbisë njëkohësisht edhe lideri i SNS-së, Aleksandër Vuçiç, pasditen e sotme ka organizuar një kundër tubim i cili është parashikuar që të ndodhë në orën 18:00 në shtetin serb, si kundërpërgjigje ndaj protestave të mëdha të qytetarëve të pakënaqur në mbarë Serbinë.
Mediat vendase shkruajnë se protestat “Serbia kundër dhunës”, të cilat çdo të premte janë gjithnjë e më masive, organizohen për shkak të gjendjes në vend dhe pakënaqësisë në rritje të qytetarëve pas dy masakrave që ndodhën në Serbi në fillim të muajit.
Atëherë u vranë 18 persona, përfshirë dhjetë fëmijë.
Vuçiç u bëri thirrje anëtarëve dhe qytetarëve të SNS-së që tani t’i përgjigjen tubimit të tij dhe njoftoi se në të nuk do të flasë si kryetar i partisë, por si president i Serbisë.
“Nuk do të mbaj fjalim politik, partiak, as që besoj se do t’i përmend kundërshtarët tanë politikë. Mendoj se Serbisë do t’i drejtohem me një plan afatgjatë, do të jem president i të gjithë qytetarëve, që kështu do t’u drejtohem atyre dhe do të tregoj se si dhe në çfarë mënyre mendoj se mund të dalim nga e gjithë kjo”, tha Vuçiç.
Prej ditësh në rrjetet sociale qarkullojnë ftesat për mbështetësit e SNS-së të cilëve do t’u sigurohet transporti për në Beograd, do të sigurohet sanduiçe dhe ujë.
Ndërkaq në mediat serbe thuhet se në këtë tubim po vijnë edhe politikanë nga entiteti i Bosnja-Hercegovinës, Republika Srpska, e në mesin e tyre është edhe presidenti i këtij entiteti, Milorad Dodik./abcnews.al