Një ditë para se në parlamentin e Kosovës të votohet për krijimin e ushtrisë së vendit, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është shprehur i shqetësuar. Ai theksoi se KFOR ka për detyrë të ndalojë një gjë të tillë.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç deklaroi se vendimi i Prishtinës për krijimin e ushtrisë nuk bazohet as në ligj dhe as në rezolutën 1244. Ai shtoi se KFOR ka për detyrë të ndalojë një proces të tillë. Kreu i shtetit serb pranoi se Kosova ishte ankthi më i madh i vendit sidomos pas vendimit dhe të Prishtinës për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Edhe pse i bëri apel KFOR të ndalojë një gjë të tillë, Vuçiç pranoi se kjo nuk do të ndodhë, pasi KFOR pretendon se çdo gjë ka ndryshuar që kur Prishtina ka shpallur pavarësinë.
Kreu i shtetit serb u shpreh se një gjë e tillë e ka vënë në pozicion të vështirë, por ai u premtoi të gjithë nënave serbe në Kosovë se Beogradi do të bëjë çdo gjë për të ndihmuar njerëzit në Kosovë dhe për të ruajtuar paqen. Por Aleksandër Vuçiç ka dashur ti dërgojë dhe një mesazh të fortë të gjithë botës: “Mos e poshtëroni Serbinë dhe popullin serb, pasi as serbët dhe as Serbia nuk do ju lejojnë ta bëni këtë.”
Ai tha se do të fliste më shumë për këtë çështje të premten apo të shtunën në pritje për të parë se çdo të ndodhë me përpjekjet e Prishtinës për të krijuar ushtrinë e Kosovës. Por presidenti serb pranoi se e kishte të qartë se Prishtina po hedh çdo hap me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij Serbia është në një situatë të vështirë, por do të përpiqet të ruajë imazhin e saj si dhe të mbrojë fëmijët për të mos qenë pjesë e një konflikti të ri.
“Shpresoj që të tjerët të kenë arsyetim dhe logjikë të mjaftueshme për të mos menduar se armët mund të jenë një zgjidhje e zgjuar dhe e mirë”, përfundoi Vuçiç./abcnews.al