Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbajtur një konferencë të posaçme në lidhje me sulmin ndaj kanalit të ujit në Ibër-Lepenc, në Zubin Potok të Kosovës.
Vuçiç mohoi kategorikisht përfshirjen e Beogradit në ngjarje dhe tha se ka pasur tentativa për një sulm të madh hibrid ndaj Serbisë.
“Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh hibrid ndaj vendit tonë, në valën e parë kanë akuzuar Beogradin dhe Serbinë se janë pas shpërthimit në Zubin Potok dhe Beogradi e Serbia nuk kanë lidhje me ato ngjarje” – u shpreh ai.
Vuçiç tha gjithashtu se autoritetet serbe kanë mbledhur informacione se kush mund të jetë autori i sulmit, por nuk dha detaje.
“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”- vijoi ai.
Presidenti serb shprehu gatishmërinë e autoriteteve të Beogradit për të bashkëpunuar jo vetëm me EULEX dhe KFOR, por edhe me Prishtinën.
Ai tha gjithashtu se ka ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore, teksa informoi se 7 nga 8 të arrestuarit nga policia e Kosovës, janë liruar.
Kanali i ujit Ibër-Lepenc në veri të Kosovës u hodh në erë mbrëmjen e 29 nëntorit.
Policia e Kosovës arrestoi 8 të dyshuar dhe zbuloi një arsenal armësh, përfshirë eksploziv dhe uniforma ushtarake.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla kanë akuzuar Serbinë për sulmin në Zubin Potok dhe dy sulmet e tjera në Zveçan, ndaj komisariatit të policisë dhe ndaj ndërtesës së Komunës. /abcnews.al