Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se të gjitha marrëveshjet me Kosovën, të nënshkruara në Bruksel, duhet të zbatohen, por jo “në përputhje me rregulloret e Kosovës”, sepse, sipas tij, “nëse gjithçka shikohet në këtë mënyrë dhe të mos ndryshohet asgjë”, atëherë “është e pamundur të arrihet ndonjë kompromis”.
Vuçiç i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Beograd nëse është sinjal i mirë deklarata e zëdhënësit të Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, se gjithçka që është nënshkruar më 2013 dhe 2015 duhet të realizohet dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet me rregulloret e Prishtinës.
Gjithashtu Vuçiç tha se në Bruksel nuk është biseduar për zbatimin në bazë të rregulloreve, sepse në atë rast, negociatat, sipas tij, nuk do të ishin as të nevojshme.
“Kemi negociuar, sepse jo gjithçka është në përputhje me rregulloret. Mesazhet e Prishtinës shpesh nuk janë të qarta për mua, sepse nuk janë racionale”, tha ai./abcnews.al/