Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur së fundmi lidhur me rëndësinë e dialogut mes Kosovë-Serbi.
Duke iu referuar luftimeve në Nagorno-Karabak, ai thotë se kjo tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment.
“Është e rëndësishme t’iu them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt e ardhshëm. Nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë konfliktin e ngrirë”, tha ai.
Më tej, ai ka paralajmëruar se në rast të mos-arritjes së një marrëveshje, një konflikt i ngjashëm mund të ndodhte mes dy vendeve, andaj ai “do bëjë gjithçka për të vazhduar negociatat” në mënyrë që të evitohet një skenar i tillë.
“Mesazhi më i rëndësishëm për ne është mesazhi i paqes dhe dialogut. Ne duhet të kujdesemi për të ardhmën e fëmijëve tanë”, deklaroi ai.