Vuçiç bisedë telefonike me Merkel

schedule13:57 - 8 Qershor, 2019

schedule 13:57 - 8 Qershor, 2019

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel. Presidenca serbe konfirmoi se Vuçiç i ka kërkuar heqjen e taksës në mënyrë që të rifillojë dialogu me Kosovën.

Presidenca serbe konfirmoi se kreu i shtetit Aleksandër Vuçiç zhvilloi një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel. Vuçiç foli për raportet dypalëshe, për situatën në rajon dhe në veçanti për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Biseda ishte e gjatë dhe miqësore, vijon më tej deklarata për media e presidencës serbe, ndërsa presidenti Vuçiç theksoi se mbetet i përkushtuar për dialog, të ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim të sigurimit të stabilitetit në rajon duke gjetur një kompromis, dhe një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dy pale. Mediat serbe raportojnë se ai ka falënderuar kancelaren Merkel dhe presidentin Macron për iniciativën që të mbështesin procesin me takimet në Berlin dhe Paris.

Siç theksohet në deklaratën e zyrës së tij, ai ka kërkuar që Prishtina të pezullojë taksën, në këmbim të kthimit të Serbisë në dialog, duke i kërkuar ndihmë edhe Merkel për të pasur një tregti të lirë. Kjo bisedë vjen pas një forumi të djeshëm në Bratisllavë ku mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, e me të cilin janë përplasur rreth çështjes së taksës, asociacionit e marrëveshjes së Brukselit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!