Nivelet e larta të kolesterolit shkaktojnë komplikime të shumta me kalimin e kohës, por simptomat janë inekzistente për një numër të madh pacientësh. Megjithatë, nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë krijimin e pllakave në arterie. Kjo mund të çojë në komplikime të mëtejshme, të tilla si staza e gjakut ose rrjedhja e ndenjur e gjakut, e cila ndikon në ngjyrën e gjuhës.
Vitin e kaluar, revista mjekësore “Frontiers in Medicine” paralajmëroi se një gjuhë vjollcë e errët tregon stanjacion të gjakut.
“Shenjat e stazës së gjakut që lidhen me zemrën përfshijnë buzët e kalta ose të kuqe të errët, takikardi, goditje si me thikë dhe shtrëngim në gjoks. Venat nëngjuhësore janë të errëta ose të shtrembërta dhe të trasha” , pohon Dr. Li Guang Yun dhe shpjegon se staza e gjakut është një simptomë e kolesterolit të lartë.
Në shumicën e rasteve kur gjuha është bërë vjollcë, gjaku nuk qarkullon siç duhet. Më konkretisht, mund të tregojë se gjaku nuk po arrin të japë oksigjen të mjaftueshëm në indet e trupit. Megjithatë, mund të sinjalizojë gjithashtu se gjaku me mungesë oksigjeni, i cili është i kuq i errët në krahasim me të kuqen e ndezur, po qarkullon nëpër arterie.
Ngjyra vjollce e gjuhës mund të tregojë edhe cianozë, e cila është pasojë e uljes së përqendrimit të oksigjenit në gjakun periferik, pra kur sasia e hemoglobinës së reduktuar (deoksihemoglobina) rritet në të paktën 5 g% (5g/dl) në gjakun kapilar.
Shkaqet më të shpeshta janë: insuficienca kardiake, emfizema pulmonare, bronkiti spastik, astma bronkiale, edema pulmonare, qëndrimi në lartësi të mëdha, stenoza ose pengimi i bronkeve të mëdha pulmonare, methemoglobinemia, defekte të lindura të zemrës.
“Rrallë është vërejtur një gjuhë blu te pacientët me cianozë periferike,” shpjeguan mjekët dhe theksuan se ngjyra blu e duarve dhe këmbëve tregon për aterosklerozë ose pllakë në muret e arterieve. Megjithatë, nuk ka gjasa që ateroskleroza të ndodhë dhe të shkaktojë një gjuhë vjollcë.
Gjithashtu, duhet theksuar se jo të gjitha rastet e ndryshimit të ngjyrës së gjuhës lidhen me qarkullimin e dobët. Disa tumore, duke përfshirë kancerin e gjuhës, mund të prodhojnë një ngjyrë të kuqe të errët ose vjollcë në sipërfaqet e gojës. Një gjuhë e kuqe e ndezur mund të sinjalizojë një mungesë të vitaminës B12, hekurit ose acidit folik.
Mjekët pretendojnë se gjuha ndonjëherë bëhet vjollcë për shkak të sëmundjes Kawasaki. Kjo gjendje e rrallë por serioze ndodh kur enët e gjakut inflamohen./abcnews.al