Lideri i dytë me radhë në hierarkinë e Al-Kaedës, i akuzuar për planifikimin e bombave vdekjeprurëse të vitit 1998 ndaj dy ambasadave të SHBA-së në Afrikë, u vra nga agjentët izraelitë në Iran në muajin gusht, raportoi The New York Times.
Udhëheqësi i lartë i Al Kaedës, Abdullah Ahmed al-Masri, u qëllua nga dy burra me një motor në rrugët e Teheranit, më 7 gusht.
Ai është konsideruar si një nga pasardhësit e mundshëm të udhëheqësit aktual të Al-Kaedës, Ayman al-Zaëahiri.
Neë York Times, duke iu referuar burimeve nga zyrtarë të inteligjencës shkruan se agjentët izraelitë e kryen atentatin me urdhër të Shteteve të Bashkuara.
Ministria e Jashtme e Iranit e kundërshtoi raportin dhe tha se nuk kishte “terroristë” të al Kaedës në tokën iraniane.
“Kohë pas kohe, Uashingtoni dhe Tel Avivi përpiqen ta lidhin Iranin me grupe të tilla duke gënjyer dhe nxjerrë informacione të rreme në media në mënyrë që të shmangin përgjegjësinë për aktivitetet kriminale të këtij grupi dhe grupeve të tjera terroriste në rajon”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Saeed Khatibzadeh vetëm disa orë pasi u botua raporti i Neë York Times.
SHBA kishte ndjekur lëvizjet e Masrit dhe operativëve të tjerë të Al-Kaedës në Iran për vite me radhë, por roli i Uashingtonit në vrasjen e liderit të Al Kaidës, mbetet i paqartë.
Masri u vra me vajzën e tij, e veja e djalit të ish-udhëheqësit të Al-Kaedës, Osama bin Laden, Hamza bin Laden, raportoi The New York Times.
Egjiptiani Masri, një nga udhëheqësit themelues të Al-Kaedës, ishte në listën e terroristëve më të kërkuar të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara.
Sulmet ndaj ambasadave të SHBA-së në Kenia dhe Tanzani më 1998 lanë 224 njerëz të vdekur dhe më shumë se 5,000 të plagosur. /abcnews.al