Vritet ministri në Republikën Dominikane, qëllohet nga shoku i ngushtë me 6 plumba

schedule07:57 - 7 Qershor, 2022

schedule 07:57 - 7 Qershor, 2022

Ministri i mjedisit dhe burimeve natyrore i Republikës Dominikane është qëlluar dhe vrarë në zyrën e tij nga një mik i ngushtë, thonë zyrtarët.

Orlando Jorge Mera, 55 vjeç, ishte duke mbajtur një takim në momentin e sulmit. Të paktën gjashtë të shtëna janë dëgjuar.

Një zëdhënës presidencial e identifikoi sulmuesin si Miguel Cruz, duke e përshkruar atë si një shok fëmijërie të ministrit.

Ai tani ndodhet në paraburgim. Motivi i të shtënave mbetet i paqartë.

Në një deklaratë, familja e Jorge Mera tha se ai ishte qëlluar disa herë nga një burrë me të cilin ishte shok që nga fëmijëria.

“Familja jonë e fal personin që e bëri këtë. Një nga trashëgimitë më të mëdha të Orlandos ishte të mos mbante mëri,” shtuan ata.

Jorge Mera kishte shërbyer në administratën e Presidentit aktual Luis Abinader që kur ai erdhi në pushtet në korrik 2020.

Në një postim në Twitter, Presidenti Abinader shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen e Jorge Mera dhe tha se ndjente keqardhje të thellë për vdekjen e mikut të tij të mirë.

Bartolomé Pujals, drejtor i kabinetit qeveritar për inovacionin, e përshkroi vdekjen e tij si një tragjedi dhe bëri thirrje për paqe në mediat sociale, shkruan BBC.

Jorge Mera ishte djali i ish-presidentit Salvador Jorge-Blanco dhe një anëtar themelues i Partisë Revolucionare Moderne në pushtet (PRM).

Jorge Mera lë pas një grua, ambasadoren Domenikane në Brazil, dhe dy djem, njëri prej të cilëve është gjithashtu një ligjvënës i PRM-së./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!