Të paktën 16 civilë janë vrarë në shtetin veriperëndimor të Nigerisë Zamfara si pasojë e një sulmi ajror ushtarak ku autoritetet ngatërruan qytetarët e pafajshëm me bandat kriminale.
Qytetarët kanë rrëfyer për mediat ndërkombëtare se viktimat ishin pjesë e grupeve lokale që monitoronin situatën e sigurisë dhe që mbroheshin nga grupet e armatosura të cilat njihen për pengmarrjen e civilëve me synimin për të marrë shpërblim. Sulmet kishin në shënjestër bandat militante në zonat Zurmi dhe Maradun. Guvernatori i shtetit, Dauda Lawal, ofroi ngushëllimet e tij për komunitetin.
Ushtria ka pranuar kryerjen e sulmeve ajrore, për të cilat ka thënë se i kanë dhënë “një goditje vendimtare banditëve që terrorizonin fshatrat në zonë”.
“Ndërsa operacioni eliminoi me sukses disa banditë dhe çoi në rikthimin e disa viktimave të rrëmbimit, ne jemi të shqetësuar mbi raportet për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm thuhet në deklaratën e guvernatorit.
Vitet e fundit, forcat e sigurisë të Nigerisë kanë luftuar bandat e fuqishme kriminale, të njohura si banditë, të cilët kanë terrorizuar shtetet veriperëndimore dhe qendrore. Banditët bastisin fshatrat, djegin shtëpitë dhe vrasin dhe rrëmbejnë banorët për shpërblim.
Disa sulme ajrore aksidentale kanë ndodhur muajt e fundit duke përfshirë një sulm në ditën e Krishtlindjes që vrau të paktën 10 civilë në shtetin fqinj Sokoto.
Në vitin 2023, të paktën 85 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, që merrnin pjesë në një tubim fetar mysliman në një fshat në shtetin Kaduna u vranë pasi u ngatërruan me banditë.
Edhe në janar të vitit 2017, u vranë të paktën 112 civile të pafajshëm kur një avion goditi një kamp që strehonte 40,000 njerëz që ishin zhvendosur nga dhuna xhihadiste në një qytet afër kufirit me Kamerunin./abcnews.al