Vrioni e Selahi shënojnë gol, protagonistë edhe “moshat” kuqezi, ja legjionarët e kësaj jave

schedule17:45 - 21 Shkurt, 2022

schedule 17:45 - 21 Shkurt, 2022

Fundjava që sapo lamë pas ishte mjaft pozitive për disa nga lojtarët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet europiane, të cilët jo vetëm kanë qenë titullarë e kanë pasur minutat e tyre, por edhe kanë realizuar gola. Vrioni e Selahi, dy legjionarët kuqezi kanë qenë protagonistë me skuadrat e tyre, duke shënuar në kampionatet përkatëse, Austri e Kroaci.

Vrioni, i cili luan në radhët e Tirolit në kampionatin austriak ka gjetur rrugën e rrjetës për herë të dhjetë që nga fillimi i kampionatit. Goli i tij në minutat e fundit të lojës nuk e shpëtoi skuadrën e Tirolit nga humbja, megjithatë vlen për t’u përmendur paraqitja e mirë e lojtarit shqiptar.

Sakaq, edhe Lindon Selahi, i cili është pjesë e Rijekës në kampionatin austriak ka realizuar një gol fantastik në sfidën ndaj Sebenik. Mesfushori kuqezi që ishte në lojë që nga minuta e parë, gjeti rrugën e rrjetës pasi gjuajti fort topin nga jashtë zone, duke lënë të shtangur portierin kundërshtar. Ky ishte goli i dytë për Selahin në radhët e Rijekës.

Jo vetëm lojtarët e konfirmuar tashmë në Kombëtaren e madhe, por edhe futbollistët e ekipeve zinxhir të moshave kuqezi kanë gjetur rrugën e rrjetës. Eljon Toci dhe Asan Mata kanë qenë protagonistë në Itali duke spikatur me skuadrat e moshave. Toci, i cili është pjesë e Fiorentinës ka realizuar në barazimin 2-2 në ndeshjen ndaj Kaljarit, ndërsa Mata, shënoi golin e epërsisë në suksesin 2-1 të Sasuolos në transfertë ndaj Xhenoas. Një lajm mjaft i mirë ky për të ardhmen e përfaqësueses kuqezi.

Ndërkaq, minuta nën këmbë kanë pasur edhe futbollistë të tjerë. Marash Kumbulla ka luajtur për 90 minuta ndaj Hellas Veronës, Berat Gjimshiti ka qenë titullar gjithashtu, me shqiptarin që ka qenë edhe protagonist përgjatë javës së kaluar me dy golëshin e tij në Europë, Armando Broja i cili gjithashtu ka luajtur që nga minuta e parë në sfidën ndaj Evertonit, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, Thomas Strakosha e Elseid Hysaj, të cilët gjithashtu kanë qenë titullarë me Lacion në ndeshjen ndaj Udinezes si dhe shumë lojtarë të tjerë kuqezi, të cilët po tregojnë ditë pas dite talentin dhe cilësitë e tyre të mëdha në kampionatet elitë të Europës. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!