Pas vetëdorëzimit në polici, Noel Dishi , autori i dyshuar i vrasjes së Vilson Tafçiut ka pranuar autorësinë dhe ka shfaqur pendesë.
I pyetur nga grupi hetimor për ngjarjen, 29-vjeçari ka pohuar se e ka qëlluar me armë shokun e tij për shkak se Tafçiu, sipas tij, e kishte ofenduar në sy të të gjithëve.
“Në Francë kemi qëndruar dhe kemi punuar bashkë, por që atje kemi pasur konflikte. Të hënën e lamë për t’u takuar, për t’u sqaruar, e kërkova unë. Më tha ku ishte, shkova ta takoja , por u zumë, pasi më shau dhe më ofendoi, nga motra dhe nga nëna. Nuk doja ta vrisja por për shkak të marrëdhënies që kemi pasur familjare u ndjeva i ofenduar. Jam penduar për vrasjen që kreva, pasi Vilsoni ishte si njeri i familjes sonë” , është shprehur autori Noel Dishi para grupit hetimor.
Sipas policisë, dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie, konflikti ka nisur për një vajzë.
Vrasja ndodhi pasditen e së hënës në zonën e Astirit. Vilson Tafçiu, i njohur për precedentët në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, u qëllua me 3 plumba teksa ishte në shoqërinë e dy mikeshave të tij në një lokal.
Në nëntor të 2018 viktima ishte deportuar nga Franca pasi kishte kryer 8 muaj burg për trafik narkotikësh. Për këtë arsye 28-vjeçari kishte ndryshuar edhe mbiemrin e tij nga Noka në Tafçiu.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim policor edhe 2 persona të tjerë të cilët kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e 28-vjecarit me origjinë nga Peshkopia. /abcnews.al