Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vite burg për efektivin Nevaldo Hajdarajn.
Në sajë të gjykimit të shkurtuar, i cili është pranuar, efektivit të policisë do ti ulet 1/3 e dënimit, duke marrë një dënim 13 vite e 4 muaj burg, në rast se pretenca do të pranohet nga Gjykata.
Sipas prokurorisë vrasja është kryer me dashje. Ndërkohë prezent në sallën e gjyqit ka qenë prezent edhe babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha.
Kujtojmë se 25-vjeçari Klodian Rasha u vra më 8 dhjetor, nga ish-polici i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:10, ndërsa viktima ishte duke ecur në rrugicën pranë shtëpisë së tij, duke shkelur orën policore të vendosur për shkak të pandemisë.
Lexo edhe: Gati ndryshimi i akuzës, sa vite burg rrezikon polici që vrau Klodian Rashën
Ndërkohë nga kamerat e sigurisë, u mësua se mes Hajdarajt dhe Rashës ka pasur fillimisht një përplasje fizike dhe më pas efektivi i Shqiponjave ka nxjerrë armën duke qëlluar ndaj 25-vjeçarit.
Pas vrasjes së Rashës, vendi u përshi nga protesta që zgjatën për disa ditë me radhë që pasuan me dorëheqjen e Sandër Lleshajt.
Sakaq rruga ku i riu u vra mori emrin e tij, rruga “Klodian Rasha”. Vendimi u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
/abcnews.al/