Vrau gruan e kunatën, Apeli vulos vendimin, burg përjetë për Gazmend Mustën

schedule10:12 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 10:12 - 7 Dhjetor, 2021

Në burg përjetë do të qëndrojë Gazmend Musta 34 vjeçari i dënuar për vrasjen e gruas dhe kunatës së tij mbrëmjen e 2 janarit të vitit 2019 në Ballsh.  Gjykata e Apelit Vlorë ka lënë në fuqi dënimin e shkallës së parë “burgim të përjetshëm” për Mustën. I dënuari për krimin e dyfishtë brenda familjes ka shfaqur pendesë në gjyq dhe ka shprehur merak për dy fëmijët e tij të mitur 3 dhe 7 vjeç.

Krimi i 2 janarit në banesën e familjes Musta në katin e pestë të një pallati në lagjen 5 Shkurti në Ballsh është paraprirë nga një debat i fortë mes bashkëshortëve. I akuzuari Musta ka qenë kundër kërkesës së bashkëshortes së tij për të shkuar tek prindërit e saj në fshatin Drizar të Mallakastrës. Pasi ka debatuar ashpër me to, rreth orës 16:30 ai ka kapur thikën e kuzhinës dhe ka qëlluar bashkëshorten  Gentiana Çaushaj e më pas edhe kunatën 18 vjeçe, Milisa Çaushaj, duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Në të njëjtën kohë në banesë kanë qenë edhe fëmijët e mitur të çifti 3 dhe 7 vjeç.

34 vjeçari gjatë seancave gjyqësore ka pretenduar se ishte ofenduar nga bashkëshortja dhe se nuk kishte duruar më, ndërsa ka shprehur merak për dy fëmijët e tij të mitur. Pas ngjarjes 34 vjeçari ka telefonuar babain e tij, të cilit i ka rrëfyer krimin duke i thënë “t’ia bënte hallall” dhe se “do të takoheshin në botën tjetër”. Krimi i rëndë tronditi opinionin publik. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!